Secondary Adv

Çmimet e arit, argjendit dhe bakrit arrijnë nivele rekord teksa tensionet globale shtohen

Edhe kallaji prek një kulm historik, ndërsa metalet zgjasin ecurinë e fortë mes pasigurive gjeopolitike dhe financiare.

Çmimet e arit, argjendit, bakrit dhe kallajit kanë kapërcyer nivele rekord, teksa shqetësimet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake të SHBA-së në Iran dhe për pavarësinë e Rezervës Federale kanë shtyrë investitorët drejt aseteve të sigurta, duke zgjatur rritjet dramatike të javëve të fundit.

 

Ari, i cili është dyfishuar në çmim në më pak se dy vjet dhe është rritur me 8 për qind që nga fillimi i këtij viti, u ngjit deri në 1.1 për qind brenda ditës, duke arritur një rekord të ri prej 4,641 dollarësh për ons. Argjendi, nga ana tjetër, kaloi për herë të parë pragun e 90 dollarëve për ons, duke u rritur deri në 6 për qind në 92.24 dollarë.

 

Rekorde edhe për metalet industriale

Bakri dhe kallaji, të cilët kanë shënuar rritje të forta gjatë muajve të fundit, arritën gjithashtu nivele historike, përkatësisht 13,407 dollarë për ton për bakrin dhe 54,760 dollarë për ton për kallajin.

 

“Gjërat po lëvizin kaq shpejt, sa çmimet po tejkalojnë parashikimet e të gjithëve. Shpejtësia e lëvizjes, veçanërisht për argjendin, kallajin dhe bakrin, po i bën investitorët institucionalë mjaft nervozë”, u shpreh analistja Helen Amos nga BMO, duke shtuar se nuk mban mend një rast të ngjashëm ku katër metale të arrijnë kulmin njëkohësisht.

 

Gjeopolitika dhe pasiguria financiare nxisin tregjet

Këto kulme të rralla pasqyrojnë shqetësimet në rritje të investitorëve për tensionet globale, më pak se një javë pasi SHBA-ja ndërmori veprime ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro. Protestat e gjera në Iran, të shoqëruara me deklarata të presidentit amerikan Donald Trump në mbështetje të protestuesve, kanë ushqyer spekulimet për një ndërhyrje të mundshme ushtarake amerikane.

 

Sipas analistëve, për metalet bazë si bakri dhe kallaji, lëvizjet aktuale nuk lidhen më me faktorët tradicionalë të ofertës dhe kërkesës, por me një treg global të drejtuar nga vrulli dhe pasiguria.

 

Rezerva Federale dhe ndikimi në ar dhe argjend

Një tjetër faktor që ka shtuar presionin në tregje janë shqetësimet për pavarësinë e Rezervës Federale të SHBA-së, pasi kryetari i saj, Jay Powell, bëri të ditur se ndaj tij është hapur një hetim penal lidhur me rinovimin e selisë së bankës qendrore. Powell i cilësoi akuzat si një “pretekst” për të kufizuar pavarësinë e Fed, në një kohë presioni nga Shtëpia e Bardhë për uljen e normave të interesit.

 

Sipas analistëve të tregut, kjo pasiguri po krijon një shtysë afatgjatë për çmimet e arit dhe argjendit, të cilat tradicionalisht përfitojnë nga klima e paqëndrueshme financiare.

 

Tarifat dhe oferta globale

Shqetësimet për tarifat amerikane mbi bakrin dhe argjendin kanë çuar gjithashtu në grumbullime të pazakonta të metalit fizik në SHBA, me stoqe mbi mesataret historike. Ndërkohë, kallaji ka përfituar nga mbyllja e një miniere të madhe në Mianmar, që ka reduktuar prodhimin global.

 

Edhe platini është përfshirë në këtë valë rritjeje, duke arritur një nivel të ri të lartë prej 2,478 dollarësh për ton në fund të dhjetorit.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat