Shqipëria, rekord në Europë për rritjen e net-qëndrimeve në hotele në T3
Net-qëndrimet u rritën me 30 për qind në tremujorin e tretë të 2025, ritmi më i lartë në kontinent sipas Eurostat.
Shqipëria ka shënuar rritjen më të lartë të net-qëndrimeve në Europë në tremujorin e tretë të vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat. Nga veriu në jug të vendit, net-qëndrimet në njësi akomoduese gjatë periudhës korrik–shtator u rritën me 30 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, një ritëm shumë më i lartë se mesatarja europiane prej vetëm 1.7 për qind.
Shteti i dytë me rritjen më të lartë vjetore të vizitorëve në tremujorin e tretë ishte Islanda, me një rritje prej 13 për qind.
5.3 milionë net-qëndrime në tre muaj
Në tremujorin e tretë, në Shqipëri u shënuan gjithsej 5.3 milionë net-qëndrime. Muaji me numrin më të lartë ishte gushti, me 2.3 milionë net-qëndrime, i ndjekur nga korriku me 1.8 milionë.
Vizitorët e huaj përbënin 75 për qind të totalit të net-qëndrimeve dhe ishin edhe faktori kryesor i rritjes, me një zgjerim prej 38.8 për qind krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Net-qëndrimet e vizitorëve vendas u rritën me 9.5 për qind.
Krahasimi me rajonin
Në rajon, tendencat ishin shumë më të moderuara. Në Mal të Zi, rritja ishte minimale, vetëm 0.1 për qind, në Maqedoninë e Veriut 1.8 për qind, ndërsa në Serbi u shënua rënie me 0.5 për qind. Kosova pati një performancë më pozitive, me rritje prej 11.7 për qind. Të dhënat për Turqinë, një nga destinacionet më të mëdha turistike në rajon, nuk janë përfshirë në raport.
Ecuria në Bashkimin Europian
Sipas Eurostat, në tremujorin e tretë të vitit 2025, në strukturat akomoduese turistike të Bashkimit Europian u regjistruan 1.27 miliardë net-qëndrime, ose 21.3 milionë net më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Rritja prej 1.7 për qind në tremujorin e tretë sinjalizon një ngadalësim krahasuar me gjysmën e parë të vitit, kur rritja ishte 2.3 për qind.
Njëzet e një vende të BE-së raportuan rritje vjetore, ndërsa gjashtë vende shënuan rënie. Rritjet më të larta u regjistruan në Luksemburg me 6.4 për qind, Maltë me 5.9 për qind dhe Poloni po ashtu me 5.9 për qind.
Në terma absolutë, kontributin më të madh në rritjen prej 21.3 milionë netësh e dhanë Franca me plus 6.0 milionë net-qëndrime, Italia me 5.2 milionë dhe Spanja me 3.2 milionë.
Gushti, muaji kulmor i sezonit
Gjatë tremujorit veror, muaji me numrin më të lartë të net-qëndrimeve në BE ishte gushti, me 501.2 milionë, i ndjekur nga korriku me 460.3 milionë. Gushti ishte muaji kryesor në 20 nga 27 vendet e BE-së, ndërsa korriku kryesoi në shtatë vende të tjera, përfshirë Belgjikën, Danimarkën, Suedinë, Finlandën, si dhe Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë.
Edhe në vendet e EFTA-s, Islandë dhe Norvegji, korriku rezultoi muaji me numrin më të lartë të net-qëndrimeve turistike.