Secondary Adv

Banka Botërore rrit treguesin e varfërisë në 8.3 USD në ditë, vlen edhe për Shqipërinë

Pragu i ri i varfërisë për vendet me të ardhura të mesme të larta u rrit nga 6.85 në 8.30 dollarë në ditë, duke zgjeruar matjen e varfërisë edhe për Shqipërinë.

Nëse një individ në Shqipëri jeton me më pak se 8.3 dollarë amerikanë në ditë, ai konsiderohet i varfër sipas standardit të ri të Bankës Botërore. Institucioni ndërkombëtar ka rishikuar kufijtë globalë të varfërisë, duke rritur pragun për vendet me të ardhura të mesme të larta nga 6.85 USD në ditë, që ishte në fuqi deri në qershor 2025, në 8.30 USD në ditë.

 

Ky nivel përfaqëson vijën tipike të varfërisë për vendet me të ardhura të mesme të larta, kategori ku bën pjesë edhe Shqipëria. Shuma prej 8.30 dollarësh përllogaritet si minimumi i nevojshëm për të mbuluar nevojat bazë ditore, përfshirë ushqimin, veshmbathjen, strehimin, kujdesin shëndetësor dhe arsimin.

 

Një standard më i lartë për një botë në ndryshim

Përqindja e popullsisë që jeton me më pak se 8.30 dollarë në ditë është treguesi i dytë që Banka Botërore ndjek në kuadër të vizionit të saj të zgjeruar për krijimin e një bote pa varfëri në një planet të jetueshëm.

 

Banka argumenton se një vijë më e lartë varfërie është më përfaqësuese e realitetit aktual global, pasi një shumicë gjithnjë e më e madhe e popullsisë botërore jeton në vende me të ardhura të mesme. Në vitin 2024, rreth tre të katërtat e popullsisë globale jetonin në këto vende, krahasuar me vetëm një të katërtën në vitin 1990.

 

Sipas Bankës Botërore, një standard më i lartë varfërie është gjithashtu i nevojshëm për të ndërtuar qëndrueshmëri ekonomike dhe sociale në një botë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj rreziqeve të lidhura me ndryshimet klimatike dhe goditjet ekonomike.

 

Efekti për Shqipërinë

Shqipëria, si vend me të ardhura të mesme të larta, përfshihet drejtpërdrejt në këtë analizë. Me pragun e mëparshëm prej 6.85 USD në ditë, rreth 20 për qind e popullsisë së vendit vlerësohej se jetonte në varfëri. Me rritjen e pragut në 8.30 USD, kjo përqindje pritet të jetë më e lartë, duke reflektuar më qartë kostot reale të jetesës.

 

Raporti thekson se ky standard i ri synon të ofrojë një pasqyrë më të drejtë të pabarazive dhe të ndihmojë në hartimin e politikave më efektive për uljen e varfërisë dhe forcimin e qëndrueshmërisë ekonomike dhe sociale.

 

Përditësimi i linjave globale të varfërisë

Rishikimi i kufijve të varfërisë u bë në qershor 2025 dhe bazohet në të dhënat më të fundit të pariteteve të fuqisë blerëse, të publikuara në maj 2024 nga Programi Ndërkombëtar i Krahasimit. Ky përditësim solli përcaktimin e tre niveleve të reja globale të varfërisë.

 

Sipas metodologjisë së re, vija e varfërisë ekstreme për vendet me të ardhura të ulëta është 3 USD në ditë, për vendet me të ardhura të mesme të ulëta është 4.20 USD në ditë, ndërsa për vendet me të ardhura të mesme të larta, përfshirë Shqipërinë, është vendosur në 8.30 USD në ditë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat