ExportON, platformë e re kombëtare në mbështetje të eksporteve
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka lançuar ExportON, një platformë kombëtare dialogu që synon forcimin dhe zhvillimin e eksporteve shqiptare.
Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) ka përgatitur ExportON, një platformë të re kombëtare dialogu për eksportet shqiptare, e konceptuar për të krijuar një qasje të strukturuar dhe të koordinuar ndaj sfidave dhe potencialeve të sektorit eksportues. Përmes kësaj nisme, AIDA synon të ndërtojë një hapësirë të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, agjencive mbështetëse dhe bizneseve eksportuese, duke e vendosur eksportin në qendër të politikave të zhvillimit ekonomik.
ExportON synon të kapërcejë fragmentarizimin që ka shoqëruar deri më tani politikat dhe instrumentet mbështetëse për eksportet, duke i trajtuar në një tryezë të vetme çështjet që lidhen me standardet dhe certifikimet ndërkombëtare, aksesin në financim, mbrojtjen e markës dhe pronësisë industriale, procedurat doganore, logjistikën dhe koordinimin institucional. Në këtë kuadër, platforma është ndërtuar mbi parimin e dialogut të drejtpërdrejtë, ku bizneset artikulojnë nevojat dhe problematikat reale të tyre, ndërsa institucionet prezantojnë politikat, programet dhe instrumentet konkrete mbështetëse.
Si institucion koordinator në fushën e investimeve dhe eksporteve, AIDA e sheh ExportON si një mekanizëm lidhës mes politikave publike dhe ekonomisë reale, me synimin për të nxitur bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të ndërtuar një ekosistem funksional eksporti. Platforma synon të prodhojë jo vetëm diskutim, por edhe rekomandime konkrete dhe hapa të matshëm, duke e pozicionuar eksportin si një motor kyç të rritjes ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Një fokus i veçantë i ExportON i kushtohet sektorëve me potencial të lartë eksportues, veçanërisht industrisë së manifakturës dhe bujqësisë e agropërpunimit, ku sfidat strukturore dhe nevoja për standardizim, financim dhe akses në tregje të reja ndërkombëtare kërkojnë zgjidhje të koordinuara. Përmes kësaj platforme, AIDA synon të krijojë një vizion të përbashkët për zhvillimin e eksporteve shqiptare, të ndërtuar mbi konkurrueshmëri, cilësi dhe vlerë të shtuar.
Platforma ExportON do të prezantohet zyrtarisht nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve më 28 janar 2026, në orën 13:00, në Hotel Marriott.