Fshatrat më të shtrenjtë, sa do jenë çmimet fiskale nga Gjiri i Lalëzit, Dhërmi, Ksamil në Velipojë
Për herë të parë në Shqipëri do të aplikohen çmime fiskale të referencës edhe për fshatrat, me vlera që në zonat bregdetare arrijnë deri në 190 mijë lekë për metër katror.

Për herë të parë për shitblerjen e ndërtesave dhe apartamenteve në vend do të aplikohen çmime fiskale edhe për fshatrat. Monitor ka zbardhur çmimet më të larta të referencës që pritet të aplikohen në zonat rurale, të cilat në shumicën e rasteve përkojnë me vijën e parë të ndërtimit në zonat turistike bregdetare.
Sipas tabelave dhe hartave digjitale të përgatitura nga grupi i punës, çmimet më të larta të referencës për fshatrat kryesohen nga vija e parë e ndërtimit në Gjirin e Lalëzit dhe Hamallaj, ku çmimi fiskal propozohet në nivelin 190 mijë lekë për metër katror.
Himara, Saranda dhe Vlora në krye të zonave rurale bregdetare
Pas Gjirit të Lalëzit, çmimet më të larta të referencës janë propozuar për vijën e parë të ndërtimit në fshatrat e Himarës. Në Dhërmi dhe Palasë çmimi fiskal do të jetë 140 mijë lekë për metër katror, ndërsa në fshatin Vuno propozohet çmim reference 100 mijë lekë për metër katror. Në Livadh, çmimi i referencës do të arrijë në 81 mijë lekë për metër katror.
Në Sarandë, fshati më i shtrenjtë do të jetë Ksamili, ku çmimi i referencës për ndërtesat do të jetë 100 mijë lekë për metër katror. Ndërkohë, në Bashkinë Vlorë, vija bregdetare e fshatrave Radhimë dhe Orikum do të ketë çmime reference 90 mijë lekë për metër katror, duke i bërë zonat rurale më të shtrenjta të kësaj bashkie.
Në veri të vendit, në Velipojë çmimi i referencës propozohet në nivelin 75 mijë lekë për metër katror, ndërsa në Tale të Lezhës do të jetë 70 mijë lekë për metër katror.
Ndikimi në taksa dhe detyrime fiskale
Mbi këto çmime reference, bashkitë llogarisin detyrimet për taksën e ndërtesës dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë. Aktualisht, për zonat rurale, në mungesë të çmimeve specifike, përdorej çmimi i referencës së qytetit, i reduktuar deri në 35%. Me ndryshimet e reja të propozuara, bashkitë nuk do të kenë më të drejtë të aplikojnë këtë reduktim, por do të detyrohen të zbatojnë çmimet e reja fiskale të miratuara nga qeveria.
Projektvendimi i rishikuar pritet të miratohet nga Këshilli i Ministrave, duke sjellë ndryshime të ndjeshme në barrën fiskale për pronarët e pasurive në zonat rurale, veçanërisht në ato turistike.
176 zona kadastrale në të gjithë vendin
Me përfshirjen e zonave rurale në hartën e çmimeve të referencës, numri total i zonave kadastrale në Shqipëri do të arrijë në 176. Aktualisht, rrethet janë të ndara në 65 zona kadastrale, ndërsa edhe këto janë rishikuar me rritje të çmimeve që në disa raste arrijnë deri në 196%.
Grupi i punës që ka hartuar çmimet e reja ka sqaruar se shumë zona rurale, kryesisht ato bregdetare, do të ndahen në disa zona kadastrale, një praktikë që deri tani ishte përdorur vetëm për Tiranën, e cila ndahet në 32 zona kadastrale. Në korrik 2025 u propozua që edhe zonat urbane në rrethe të ndaheshin më tej, duke e çuar numrin e tyre nga 65 në 116.
Me rishikimin e fundit, qeveria propozon ndarje në disa zona kadastrale edhe për fshatrat, ku vija e parë e ndërtimit në zona turistike do të ketë çmime reference shumë më të larta se zonat e brendshme të fshatit. Për pjesën tjetër të fshatrave, që nuk ndodhen në zona turistike, propozohet aplikimi i çmimeve fiskale të barabarta me çmimet aktuale të rretheve.
Të gjitha ndryshimet, së bashku me hartat digjitale dhe tabelat përkatëse, i janë dërguar për miratim Këshillit të Ministrave. Çmimet e reja fiskale, të rishikuara fillimisht në korrik 2025 për rrethet, pritej të hynin në fuqi nga 1 janari 2026, ndërsa me rishikimet e fundit pritet miratimi i një harte të re kombëtare me 176 zona kadastrale, ku përfshihen për herë të parë edhe fshatrat.
Gjiri i Lalzit & Hamallaj – Më të shtrenjtët në vend
Vija e parë bregdetare në Gjirin e Lalzit dhe Hamallaj arrin çmimin më të lartë të referencës në vend: 190,000 lekë/m². Pas vijës së parë, çmimi është 90,000 lekë/m², ndërsa zonat rurale mbeten 67,500 lekë/m².
Golemi – Çmim i moderuar për vijën e parë
Vija e parë bregdetare në Golem ka çmim reference 75,000 lekë/m².
Himara – Dhërmi & Palasë me çmimet më të larta
Dhërmi dhe Palasë kanë çmim reference 140,000 lekë/m² për vijën e parë. Zona pas bregdetit dhe pjesë të Vunos shkojnë në 100,000 lekë/m², ndërsa Himara qytet, Potami dhe Livadhi në 81,000 lekë/m².
Saranda – Ksamil më i shtrenjti në jug
Vija bregdetare e Ksamili dhe shëtitorja e Sarandës përfshihen me çmim 100,000 lekë/m². Zonat e tjera brendësore dhe fshatrat përreth kanë çmim 56,000 lekë/m².
Vlora – Radhima & Orikumi kryesojnë
Vija bregdetare e Radhimës dhe Orikumit ka çmim reference 90,000 lekë/m². Zonat rurale të Vlorës mbeten me çmim 61,800 lekë/m².
Veriu – Velipoja më e shtrenjta
Në veri, Velipoja ka çmimin më të lartë për vijën bregdetare: 75,000 lekë/m², ndërsa zona rurale është 58,000 lekë/m².
Tale & Shëngjin – çmime të larta bregdetare
Në Tale dhe Shëngjin çmimi i referencës për vijën e parë është 70,000 lekë/m².
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






