Rritën çmimet, Autoriteti i Konkurrencës hap hetim të thelluar ndaj Vodafone dhe One
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur një hetim të thelluar ndaj dy operatorëve celularë në vend, pas dyshimeve për sjellje të bashkërenduara dhe rritje të sinkronizuar të çmimeve në tregun e shërbimeve celulare.
Autoriteti i Konkurrencës ka hapur hetim të thelluar ndaj Vodafone Albania dhe One Albania, dy kompanive kryesore të ofrimit të shërbimeve celulare në Shqipëri. Vendimi vjen pas përfundimit të fazës së hetimit paraprak të tregut, ku janë identifikuar elementë që mund të tregojnë sjellje anti-konkurruese.
Siç ishte paralajmëruar edhe gjatë raportimit në Kuvend në muajin tetor, analiza e tregut ka nxjerrë në pah se tregu me pakicë i shërbimeve celulare paraqitet si një duopol, ku dy operatorët zotërojnë së bashku 100% të tregut.
Dyshime për pozitë dominuese kolektive
Sipas Autoritetit, kjo strukturë tregon një përqendrim shumë të lartë të tregut dhe mungesë konkurrence efektive, duke krijuar kushte për ushtrimin e një pozite dominuese kolektive. Hetimi paraprak ka përfshirë periudhën nga 1 janari 2022 deri më 25 korrik 2025.
Gjatë kësaj periudhe është konstatuar se Vodafone Albania dhe One Albania kanë ndjekur sjellje të ngjashme tregtare në ofertat e tyre, përfshirë paketat me parapagesë, paketat me kontratë dhe shërbimet roaming.
Rritje pothuajse e njëkohshme e çmimeve
Autoriteti vëren një rritje progresive dhe pothuajse të sinkronizuar të çmimeve, pa u shoqëruar me dokumentacion që të provojë një metodologji të qartë të përllogaritjes së kostove. Sipas analizës, sa herë një operator ka rritur çmimet e paketave, operatori tjetër e ka ndjekur brenda një periudhe të shkurtër kohore me rritje të ngjashme.
Këto rritje janë reflektuar jo vetëm në nivelin e çmimit, por edhe në strukturën e paketave, si sasia e internetit, minutat, SMS-të dhe vlefshmëria, duke treguar një reagim simetrik që mund të interpretohet si praktikë e bashkërenduar.
Oferta pothuajse identike dhe mungesë transparence
Analiza e ofertave tregon se paketat e dy operatorëve janë pothuajse identike në çmim dhe përmbajtje, duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe duke reduktuar presionin konkurrues në treg.
Ky homogjenitet i produkteve, i kombinuar me mungesën e transparencës mbi raportin kosto–çmim, përbën një rrezik të lartë për koordinim të sjelljes së ndërmarrjeve me qëllim ruajtjen e niveleve të qëndrueshme të çmimeve dhe fitimeve.
Autoriteti thekson se asnjë nga ndërmarrjet nuk ka paraqitur prova që çmimet e aplikuara janë përllogaritur mbi bazën e kostove reale të shërbimeve.
Hetimi i thelluar deri në nëntor 2025
Në përfundim, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se, në kushtet e një tregu duopolist, me rritje të sinkronizuara çmimesh, oferta pothuajse identike dhe mungesë metodologjie kosto–çmim, sjellja e Vodafone Albania dhe One Albania mund të përbëjë shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Hetimi i thelluar do të përfshijë periudhën nga 1 janari 2022 deri më 18 nëntor 2025, për të përcaktuar nëse ka pasur koordinim të ndaluar dhe nëse janë dëmtuar interesat e konsumatorëve.