Secondary Adv

Tatimet kontroll në terren për pagat në ndërtim, në fokus kontratat e shitjes dhe burimi i të ardhur

Administrata Tatimore ka nisur kontrolle në terren në sektorin e ndërtimit për të evidentuar nëndeklarimin e pagave reale, kontratat e shitjes së apartamenteve dhe transaksionet nga burime të dyshimta.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton se duke nisur nga 16 janari kanë filluar kontrollet në terren për subjektet e ndërtimit që dyshohen për mosdeklarim real të pagave të punonjësve. Kontrollet do të përqendrohen vetëm te ato biznese që nuk kanë respektuar pagat dysheme të përcaktuara nga Administrata Tatimore, të cilat hynë në fuqi nga 1 dhjetori 2025.

 

Për shkak të deklarimit të pagave më të ulëta sesa niveli real, Tatimet publikuan muajin e kaluar listën e pagave indikative për sektorin e ndërtimit, të ndara sipas profesioneve. Sipas këtij vendimi, me përjashtim të sanitarëve që do të kenë pagë minimale 60 mijë lekë, të gjithë punonjësit e tjerë nuk duhet të kenë pagë të deklaruar më të ulët se 80 mijë lekë. Zbatimi i kësaj liste rrit automatikisht pagën mesatare të sektorit nga 68 mijë lekë në 85 mijë lekë.

 

Çdo biznes që nuk respekton këto paga dysheme do të konsiderohet me risk për nëndeklarim dhe do t’i nënshtrohet kontrolleve nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore.

 

Paralajmërimi i Tatimeve për subjektet me risk

“Bëjmë me dije se çdo tatimpagues, që deklaron paga nën nivelin e pagave indikative, apo që ndryshon profesionin e punonjësve me qëllim shmangien e deklarimit real të pagave, duke rrezikuar pagesën e kontributeve shoqërore dhe pensionin, do të konsiderohet me risk dhe si i tillë do t’i nënshtrohet kontrollit nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore”, thuhet në njoftimin zyrtar.

 

Përmes një letre dërguar bizneseve të ndërtimit, Tatimet paralajmërojnë se mosdeklarimi real i pagave cenon sigurimet shoqërore dhe pensionet e ardhshme, ndaj subjektet mund të përballen edhe me hetime të thelluara. Në fokus të kontrolleve do të jenë gjithashtu transaksionet me burime të ardhurash të dyshimta, në bashkëpunim me agjenci të tjera ligjzbatuese.

 

Sektori i ndërtimit dhe pagat reale

Sektori i ndërtimit punëson rreth 63 mijë persona, një numër që është rritur me rreth 20 mijë punonjës gjatë dekadës së fundit. Megjithatë, ky sektor renditet ndër fushat me pagat më të ulëta në vend.

 

Edhe pse ndërtuesit raportojnë prej vitesh rritje të pagave, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, të dhënat e INSTAT tregojnë se paga mesatare në ndërtim është 68 mijë e 277 lekë, nivel që sipas Tatimeve reflekton nëndeklarimin e pagave reale.

 

Kontrolle edhe mbi shitjet e apartamenteve

Hetimet e Administratës Tatimore nuk do të kufizohen vetëm te pagat. Ato do të shtrihen edhe te kontratat e shitjes së apartamenteve, përfshirë parapagimet kur nuk shoqërohen me fatura të rregullta, shoqërimi i mallrave me dokumentacion fiskal, si dhe deklarimi korrekt i kontratave të qiramarrjes së ambienteve.

 

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se ky aksion synon formalizimin e ekonomisë dhe rritjen e deklarimit real të pagave në sektorin e ndërtimit. Sipas tij, kontrollet do të fokusohen te subjektet që deklarojnë paga më të ulëta se tregu, me qëllim mbrojtjen e kontributeve shoqërore dhe garantimin e pensioneve të ardhshme.

 

“Përfundon faza e ndërgjegjësimit, nis faza e kontrollit në sektorin e ndërtimit. Pas një fushate ndërgjegjësimi, Administrata Tatimore nis kontrollet në terren ndaj subjekteve me risk për nëndeklarim pagash. Synimi është formalizimi i ekonomisë dhe garantimi i konkurrueshmërisë në treg”, shprehet ministri Malaj.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat