Secondary Adv

Kriza e eksporteve, rënie për të tretin vit radhazi, si i goditi kursi i këmbimit në një dekadë

Eksportet shqiptare ranë edhe në vitin 2025 për të tretin vit radhazi, duke reflektuar presionin e fortë nga zhvlerësimi i euros dhe problemet strukturore të sektorëve kryesorë eksportues.

Eksportet kanë hyrë në një krizë të thellë, nga e cila nuk po shfaqen ende sinjale të qarta daljeje. Të dhënat e INSTAT tregojnë se shitjet jashtë vendit shënuan rënie edhe gjatë vitit 2025, megjithëse me ritme më të ngadalta krahasuar me vitin 2024.

 

Sipas INSTAT, gjatë vitit 2025 eksportet e mallrave arritën në 346 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 6.1 për qind. Një vit më parë, në 2024, rënia ishte shumë më e thellë, 16.2 për qind, ndërsa në vitin 2023 eksportet ishin tkurrur me 9.5 për qind.

 

Një dekadë me luhatje dhe presion nga kursi i këmbimit

Të dhënat historike tregojnë se gjatë dekadës së fundit eksportet kanë pasur një ecuri të paqëndrueshme. Që nga viti 2015, shitjet jashtë vendit kanë rënë në shtatë vite, konkretisht në 2015, 2016, 2019, 2020, 2023, 2024 dhe 2025, ndërsa janë rritur vetëm në periudhat 2017–2018 dhe 2021–2022, kjo e fundit si efekt rikuperimi pas pandemisë.

 

Kjo tendencë përkon me zhvlerësimin gradual të euros, që nisi në vitin 2015, kur monedha e përbashkët këmbehej pranë 140 lekëve. Euro ka rënë vazhdimisht, duke zbritur për herë të parë në histori nën nivelin 100 lekë në gusht 2024 dhe duke qëndruar poshtë këtij niveli edhe gjatë vitit 2025. Mesatarja vjetore e kursit për 2025-n ishte 97.8 lekë, me një nënçmim kumulativ rreth 30 për qind brenda një dekade.

 

Rënia në 2025 dhe sektorët që ndikuan

Gjatë vitit 2025, vetëm dy grupe mallrash shënuan rritje. Sipas INSTAT, në rënien vjetore të eksporteve me 6.1 për qind ndikuan negativisht kryesisht grupet “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4.5 pikë përqindje dhe “Minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” me -1.3 pikë përqindje.

Ndikim pozitiv patën grupet “Ushqime, pije, duhan” me +0.7 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0.6 pikë përqindje.

 

Në muajin dhjetor 2025 u vu re një përmirësim i lehtë, me rritje mujore të eksporteve prej 5.6 për qind. Kontribut pozitiv dhanë “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +3.0 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +2.4 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +1.2 pikë përqindje.

 

Tekstile dhe këpucë, rënie e lehtë dhe shpresë për rikuperim

Eksportet e tekstileve dhe këpucëve shënuan luhatje gjatë vitit 2025, duke e mbyllur vitin me shitje prej 104 miliardë lekësh dhe një rënie të lehtë prej 1.1 për qind krahasuar me vitin 2024. Ky sektor arriti të ngadalësojë ritmet e tkurrjes pas tre viteve të vështira.

Sipas përfaqësuesve të industrisë, viti 2025 shihet si një pikë kthesë drejt rikthimit të fitimit, ndërsa për vitin 2026 priten përmirësime graduale, edhe pse presionet mbeten të larta nga zhvlerësimi i euros, rritja e pagës minimale, dobësimi i kërkesës europiane dhe konkurrenca nga platformat kineze të tregtisë online.

Tekstilet dhe këpucët mbeten grupi më i madh eksportues në vend, me rreth 30 për qind të totalit të eksporteve.

 

Mineralet dhe energjia, goditje nga Bankers Petroleum

Grupi “Minerale, lëndë djegëse dhe energji” eksportoi 62.8 miliardë lekë gjatë vitit 2025, me një rënie vjetore prej 6.7 për qind. Tkurrja lidhet kryesisht me performancën e dobët të Bankers Petroleum, e cila shfrytëzon fushën naftëmbajtëse Patos-Marinëzë dhe ka pasur konflikte të vazhdueshme me qeverinë për detyrime fiskale.

Ky grup renditet i dyti për nga pesha në eksporte, me 18.2 për qind të totalit.

 

Ushqime, pije dhe duhan, një nga të paktët në rritje

Grupi “Ushqime, pije dhe duhan” ishte një nga dy sektorët që shënoi rritje në 2025. Eksportet arritën në 55.9 miliardë lekë, me zgjerim prej 5 për qind, duke zënë 16.2 për qind të totalit dhe duke u renditur si grupi i tretë më i madh eksportues.

Rritja ka qenë kryesisht në sasi, ndërsa çmimet në tregjet e huaja kanë qenë të ulëta. Për vitin 2026, sektori pritet të ndikohet negativisht nga përmbytjet dhe ngricat e janarit.

 

Materialet e ndërtimit dhe metalet, rënie e fortë nga Kurum

“Materiale ndërtimi dhe metale” shënuan rënien më të fortë në 2025, me -25.4 për qind, duke zbritur në grupin e katërt më të eksportuar, me 14 për qind të totalit. Tkurrja lidhet drejtpërdrejt me ndërprerjen e aktivitetit të Kurum, një nga eksportuesit më të mëdhenj në vend.

Kompania nuk pritet të rifillojë prodhimin e metaleve për të paktën dy vjet, deri në përfundimin e investimit 150 milionë euro për prodhimin e çelikut të gjelbër në zonën industriale të Elbasanit.

 

Makineritë dhe pajisjet, rritje e moderuar

Grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” shënoi rritje prej rreth 6 për qind në 2025, me eksporte që arritën në 39.7 miliardë lekë dhe një peshë prej 11.5 për qind të totalit.

Industria mbështetëse automotive ka vijuar rritjen, e ndihmuar nga rritja e porosive në tremujorin e fundit të vitit, megjithëse përballet me presione nga mungesa e fuqisë punëtore, kontratat afatgjata në euro dhe rritja e pagës minimale.

 

Deficiti tregtar përkeqësohet

Gjatë vitit 2025, ndërsa eksportet ranë në 346 miliardë lekë, importet e mallrave arritën në 887 miliardë lekë, me një rënie të lehtë prej 0.8 për qind. Deficiti tregtar u zgjerua në 541 miliardë lekë, duke u rritur me 3.0 për qind krahasuar me vitin 2024.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat