Secondary Adv

Protestat në Serbi, Presidenti Vuçiç paralajmëron zgjedhje të parakohshme

Serbia ka hyrë praktikisht në një fazë parazgjedhore, mes protestave të vazhdueshme studentore dhe paralajmërimeve për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Serbia ndodhet de facto në një periudhë parazgjedhore që nga fillimi i vitit 2026, edhe pse data e zgjedhjeve parlamentare ende nuk është shpallur zyrtarisht. Mbi një vit pas nisjes së protestave studentore dhe përshkallëzimit të tensioneve politike, presidenti Aleksandar Vuçiç ka paralajmëruar mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, pa dhënë një afat konkret, duke lënë të hapur skenarin që ato të mbahen mes muajve tetor dhe dhjetor.

 

Analistët politikë vlerësojnë se është krijuar një “dritare mundësie” për ndryshim pushteti në Beograd. Politologu Dushan Spasojeviç thekson se për herë të parë qeveria dhe opozita rezultojnë me mbështetje pothuajse të barabartë në sondazhe, duke e bërë reale mundësinë që qeveria aktuale të humbasë pushtetin. Nga ana tjetër, Vuçiç ka deklaruar se mazhoranca ka burime, përvojë dhe kapacitete për ta përballuar krizën politike.

 

Studentët kthejnë protestat në fushatë zgjedhore

Që nga fundi i vitit 2025, lëvizja studentore ka ndryshuar qasje. Pas zbehjes së intensitetit të protestave në rrugë, fokusi është zhvendosur drejt përgatitjeve zgjedhore. Studentët kanë nisur përzgjedhjen e kandidatëve, hapjen e zyrave elektorale, trajnimin e vëzhguesve zgjedhorë dhe hartimin e një programi politik.

 

Nisma “një student në çdo fshat” synon të rrisë besimin e qytetarëve, të mobilizojë elektoratin dhe të sfidojë narrativën e mediave pranë qeverisë. Aktivistë si Danilo Erdeljan dhe Sonja Haxhdjukoviç po udhëtojnë në të gjithë vendin, duke argumentuar se sa më vonë të mbahen zgjedhjet gjatë vitit 2026, aq më shumë forcohet lëvizja studentore.

 

Mbështetje në rritje dhe presion shtetëror

Mbështetja për studentët po rritet ndjeshëm. Më 28 dhjetor, lëvizja arriti të mbledhë rreth 400 mijë firma në mbi 500 pika në më shumë se 100 qytete të Serbisë, duke u perceptuar nga një pjesë e gjerë e opinionit publik si një alternativë politike afatgjatë.

Ndërkohë, qeveria ka ashpërsuar qëndrimin. Mes presioneve ndërkombëtare dhe rrezikut të sanksioneve amerikane ndaj kompanisë energjetike NIS, e kontrolluar nga Rusia, presidenti Vuçiç po shtyn shpalljen e zgjedhjeve, edhe pse kjo po thellon krizën politike.

 

Sipas raportimeve, qindra punonjës të sektorit publik janë larguar nga puna, disa për shkak të lidhjeve familjare me protestuesit. Dhjetëra studentë janë nën hetim për “kërcënim të rendit kushtetues”, ndërsa disa prej tyre kanë zgjedhur të largohen nga vendi. Universitetet po përballen gjithashtu me një kontroll më të rreptë shtetëror, përfshirë centralizimin e financimeve.

Pavarësisht presioneve, studentët shprehen se janë të vendosur ta vazhdojnë këtë proces, të cilin e cilësojnë si një “maratonë” drejt zgjedhjeve, duke besuar se ato përfaqësojnë një mundësi reale për ndryshim politik në Serbi.

 

Burimi: Ora News


Më të lexuarat