Secondary Adv

Raporti i KLSH: 24 mln euro dëm dhe menaxhim jo efektiv i parave publike në 8 mujor

Auditimet e kryera në 8 muajt e parë të vitit 2025 evidentojnë shkelje serioze në shpenzime dhe të ardhura, me ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit.

Të paktën 2.4 miliardë lekë, ose rreth 24 milionë euro, përbëjnë dëmin ekonomik dhe menaxhimin jo efektiv të fondeve publike të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë auditimeve të zhvilluara në periudhën janar–gusht 2025.

 

Sipas raportit zyrtar, gjatë kësaj periudhe janë dhënë 148 rekomandime për gjetje me efekte negative në buxhetin e shtetit. Nga vlera totale prej 2.4 miliardë lekësh, 112.2 milionë lekë përfaqësojnë dëm ekonomik të drejtpërdrejtë, ndërsa 2.29 miliardë lekë lidhen me menaxhim jo efektiv të fondeve publike.

 

Shpenzimet mbajnë peshën kryesore të dëmit

Raporti vlerëson se 57% e dëmit ekonomik është konstatuar në fushën e shpenzimeve dhe 43% në fushën e të ardhurave. Në shpenzime, peshën më të madhe e zënë shkeljet gjatë procedurave të prokurimit publik dhe zbatimit të kontratave.

Këto shkelje përbëjnë rreth 90% të dëmit në fushën e shpenzimeve, me një vlerë prej 57.4 milionë lekësh. Ato lidhen me likuidime për punime të pakryera, mosllogaritje të kostove përfundimtare të shërbimeve të projektimit, si dhe realizim punimesh që nuk përputhen me specifikimet teknike të kontratave.

 

Të ardhurat doganore, burim i madh parregullsish

Në fushën e të ardhurave, rreth 96% e dëmit ekonomik lidhet me aktivitetin doganor. Problematikat përfshijnë mosarkëtimin e detyrimeve doganore, pagesa të kryera në kundërshtim me kuadrin ligjor në import, vlerësime të gabuara të importeve dhe deklarimeve të artikujve, përjashtime të padrejta nga pagesa e TVSH-së dhe trajtim të gabuar të shkeljeve doganore.

Gjithashtu, janë evidentuar të ardhura të munguara nga administrimi i pasurisë shtetërore dhe nga marrëdhëniet kontraktuale me palë të treta, në vlerën 1.47 milionë lekësh.

 

Shkelje të disiplinës financiare dhe buxhetore

Gjatë së njëjtës periudhë, janë konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të fondeve publike, në vlerën totale 2.3 miliardë lekë.

Prej tyre, 1.76 miliardë lekë i përkasin fushës së të ardhurave, kryesisht në nivelin e qeverisjes vendore, për shkak të detyrimeve të pambledhura nga taksat dhe tarifat vendore, mosaplikimit të kamatvonesave për përdorimin e pronave bashkiake nga subjektet private, si dhe detyrimeve të paarkëtuara nga veprimtari të kundërligjshme, si prerja e drurëve apo shfrytëzimi i gurëve dekorativë.

Në fushën e shpenzimeve, shkeljet kapin vlerën 523.5 milionë lekësh, si pasojë e parregullsive në prokurime dhe zbatim kontratash në vlerën 253.9 milionë lekësh, si dhe shkeljeve të disiplinës buxhetore në likuidimin e shpenzimeve, që arrijnë në 123 milionë lekë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat