Secondary Adv

Interesi maksimal i lejuar për kreditë e vogla konsumatore ulet në 54.8 për qind

Banka e Shqipërisë vijon shtrëngimin e normave tavan për kreditë konsumatore, me synim mbrojtjen e konsumatorëve nga interesat abuzive.

Norma maksimale e interesit për kreditë konsumatore është ulur sërish për gjysmën e parë të vitit 2026. Sipas vendimit të miratuar nga, për kreditë konsumatore me vlerë deri në 200 mijë lekë, institucionet financiare nuk mund të aplikojnë një normë efektive interesi më të lartë se 54.8 për qind.

 

Kjo normë është ndjeshëm më e ulët krahasuar me 62.2 për qind që ishte në gjysmën e dytë të vitit 2025 dhe me 70.9 për qind që kishte qenë një vit më parë. Norma efektive e interesit përfshin jo vetëm interesin nominal, por edhe komisionet dhe të gjitha kostot e tjera që i transferohen konsumatorit gjatë marrjes së kredisë.

 

Ndryshimet në metodologjinë e llogaritjes

Sipas ndryshimeve të miratuara në fillim të vitit 2025 në rregulloren “Për kredinë konsumatore dhe kredinë hipotekare”, për kreditë me këste deri në 200 mijë lekë, norma maksimale e interesit përcaktohet tashmë si mesatarja e thjeshtë e normës efektive të interesit të dhënë në gjashtëmujorin paraardhës, pa iu shtuar një e treta, siç parashikohej më parë.

 

Për kreditë mbi 200 mijë lekë, mënyra e llogaritjes mbetet e pandryshuar, duke iu shtuar mesatares së gjashtëmujorit të kaluar një e tretë për të përcaktuar kufirin maksimal të interesit.

 

Overdraftet dhe kreditë me vlerë më të lartë

Për overdraftet deri në 200 mijë lekë, norma maksimale e interesit është ulur lehtë në 18.27 për qind, nga 18.3 për qind që ishte në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025. Ndërkohë, për kreditë nga 200 mijë deri në 600 mijë lekë, norma maksimale e interesit është rritur lehtë në 35.43 për qind, por mbetet më e ulët krahasuar me nivelin e fillimit të vitit 2025.

 

Për overdraftet në këtë interval, norma maksimale ka arritur në 18.5 për qind, ndërsa për kreditë nga 600 mijë deri në 2 milionë lekë, norma maksimale është ulur në 14.71 për qind.

 

Rënie e fortë që nga viti 2022

Aplikimi i një tavani maksimal për interesat e kredive konsumatore nisi në fillim të vitit 2022, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga normat e larta, veçanërisht në kreditë e dhëna nga institucionet financiare jobanka. Në atë periudhë, norma maksimale për kreditë deri në 200 mijë lekë ishte 171.41 për qind.

 

Sipas të dhënave më të fundit, kjo normë ka zbritur tashmë në 54.8 për qind, duke reflektuar një shtrëngim të ndjeshëm të kushteve dhe një ulje graduale të kostos së huamarrjes për kreditë e vogla konsumatore.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat