Ndërhyrjet në rrugët e Ksamilit, shpallet fituesi i kontratës për trotuaret dhe rrethimet anësore
Bashkia e Sarandës shpall fituesin e kontratës për rikualifikimin e dy rrugëve të brendshme në Ksamil.
Dy rrugë në Ksamil pritet t’i nënshtrohen rikualifikimit, ku ndërhyrjet do të përfshijnë ndërtimin e trotuareve për këmbësorët, rikualifikimin e rrethimeve anësore dhe sistemimin e zonave çlodhëse. Bashkia e Sarandës ka shpallur fituesin e kontratës “Ndërtim trotuare, rikualifikim i rrethimeve anësore në rrugët e brendshme dhe rikualifikim hapësirave çlodhëse Ksamil”, duke i dhënë kontratën kompanisë Shëndëlli me një ofertë rreth 700 mijë euro.
Në dokumentet shoqëruese, bashkia ka detajuar rrugët ku do të kryhen ndërhyrjet dhe natyrën e punimeve. Ndërhyrja e parë do të realizohet në rrugën “Lefter Talo – Sami Frashëri”, me një gjatësi prej 1054 metrash. Sipas projektit, kjo rrugë ka nevojë për ndërtimin e trotuareve dhe rikualifikimin e rrethimeve anësore në rrugët e brendshme, pa parashikuar prishje të trupit ekzistues të rrugës.
Detajet e projektit në rrugën “Lefter Talo – Sami Frashëri”
Projekti parashikon zgjerime për krijimin e aksesit për këmbësorët, duke përfshirë punime gërmimi, struktura betoni, transport dhe marrje materialesh, si dhe sistemimin e zonës për fazat pasuese. Këto punime do të shoqërohen me ndërtimin e mureve mbajtës për të siguruar gjerësinë e nevojshme prej 1.5 metrash në secilën anë të rrugës.
Më tej, do të realizohen shtresat e trotuarit sipas profilit tip të rrugës, mbushje me çakëll pas mureve mbajtës dhe ndërtimi i mureve rrethues me lartësi 70 deri në 90 centimetra, në varësi të terrenit. Këto mure do të vishen me pllakë guri dekorativ dhe mbi to do të vendosen zgara dekorative hekuri, me konfiguracion mesatar, diametër shufre 1 centimetër dhe peshë specifike 0.79 kilogramë, të vendosura çdo 15 centimetra.
Ndërhyrja në rrugën “Ibrahim Rugova”
Ndërhyrja e dytë do të kryhet në rrugën “Ibrahim Rugova”, me një gjatësi prej 370 metrash, ku parashikohet ndërtimi i trotuareve dhe rikualifikimi i rrethimeve anësore. Edhe në këtë rast, projekti nis me zgjerime për të krijuar akses të sigurt për lëvizjen e këmbësorëve përgjatë rrugës.
Bashkia e Sarandës e argumenton këtë investim si të domosdoshëm për përmirësimin e infrastrukturës urbane në Ksamil, i cili konsiderohet një nga destinacionet më të frekuentuara dhe më të promovuara për potencialin e tij turistik. Sipas kontratës, punimet duhet të përfundojnë brenda një afati prej pesë muajsh nga data e nënshkrimit.