KE: Vrulli ekonomik i Shqipërisë po bie, papunësia u rrit lehtë, konsumi u ngadalësua
Komisioni Europian vëren ngadalësim gradual të rritjes ekonomike në Shqipëri dhe rajon, mes presioneve të jashtme dhe dobësimit të konsumit.

Ekonomitë e vendeve kandidate dhe potenciale kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian vijuan të rriten edhe në fund të vitit 2025, por me ritme më të moderuara dhe nën presionin e vazhdueshëm të faktorëve të jashtëm, thuhet në raportin e fundit tremujor të Komisionit Europian.
Sipas raportit, rritja ekonomike në rajon u mbështet kryesisht nga konsumi i brendshëm, ndërsa kontributi i tregtisë së jashtme mbeti i dobët. Prodhimi i Brendshëm Bruto real i rajonit u rrit me 2.6 për qind në baza vjetore, i njëjti ritëm si në tremujorin paraardhës.
Normat e rritjes ekonomike varionin nga 2 për qind në Serbi deri në 3.8 për qind në Maqedoninë e Veriut. Serbia, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina, si ekonomitë më të mëdha të rajonit, ruajtën përgjithësisht të njëjtin ritëm zgjerimi si në tremujorin e mëparshëm. Kosova shënoi ngadalësimin më të fortë të rritjes, ndërsa Mali i Zi regjistroi një normë pak më të ulët se tre muajt paraardhës.
Konsumi privat mbeti kontribuuesi kryesor në rritjen e PBB-së në tremujorin e tretë të vitit 2025, por ritmet e tij u ngadalësuan në disa ekonomi të rajonit. Konsumi i familjeve u mbështet nga rritja e vazhdueshme e pagave, ndërsa investimet u përshpejtuan në shumicën e vendeve, përveç Serbisë, ku ato vijuan të tkurren.
Në tregtinë e jashtme, rritja e importeve ishte më e fortë se ajo e eksporteve, duke sjellë kontribute negative të tregtisë ndërkombëtare në rritjen ekonomike. Tregu i punës paraqiti një tablo të përzier, me rënie të punësimit mesatar në rajon dhe norma papunësie që mbeten mbi mesataren e Bashkimit Europian.
Shqipëria, sinjale ngadalësimi të vrullit ekonomik
Për Shqipërinë, raporti i Komisionit Europian thekson se rritja reale ekonomike mbeti pozitive në tremujorin e tretë të vitit 2025, por me një ritëm më të moderuar krahasuar me periudhat e mëparshme, duke sinjalizuar një ngadalësim gradual të vrullit të rritjes.
PBB-ja reale u rrit me 3.7 për qind në baza vjetore, në linjë me tremujorët e parë dhe të dytë të vitit, por nën nivelin e tremujorit të tretë të vitit 2024, kur rritja ishte 4.4 për qind.
Zgjerimi ekonomik u mbështet kryesisht nga konsumi privat, por dinamika e tij u zbut ndjeshëm. Konsumi i familjeve u rrit me vetëm 1.3 për qind në baza vjetore në tremujorin e tretë, nga 4 për qind në tremujorin paraardhës, duke reflektuar kushte më të shtrënguara financiare dhe pasiguritë e jashtme.
Konsumi qeveritar u rrit me 7.7 për qind në baza vjetore, por me një ngadalësim të fortë krahasuar me ritmin prej 16.3 për qind të regjistruar një vit më parë. Investimet u rritën me 4.8 për qind në baza vjetore, më pak se 8 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2024.
Tregu i punës dhe pagat
Kushtet e tregut të punës vijuan të përmirësohen, megjithëse me ritme më të ngadalta. Norma e punësimit për grupmoshën 15–64 vjeç u rrit me 0.4 pikë përqindje në baza vjetore, duke arritur në 69.6 për qind.
Norma e papunësisë u rrit lehtë me 0.1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë, por ra me 0.4 pikë përqindje në terma tremujorë, duke u vendosur në 9 për qind. Papunësia e të rinjve shënoi rënie të ndjeshme, duke zbritur në 15 për qind.
Pjesëmarrja në fuqinë punëtore u rrit në 76.5 për qind, e mbështetur kryesisht nga rritja e pjesëmarrjes së grave, e cila arriti në 70.2 për qind, duke ngushtuar më tej hendekun gjinor.
Në tremujorin e tretë të vitit 2025, paga mesatare mujore nominale arriti në 83,300 lekë, me një rritje vjetore prej 7.3 për qind. Pagat në sektorin privat u rritën me 9.8 për qind, ndërsa në sektorin publik me 3.2 për qind. Paga minimale mbeti e pandryshuar në nivelin 40,000 lekë në muaj.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






