Referencat e ndërtesave për banim në fshat, ja në cilat zona çmimet do të barazohen me qytetin
Qeveria propozon për herë të parë çmime reference për zonat rurale, duke i barazuar ato me çmimet aktuale të rretheve, me përjashtime për zonat bregdetare turistike.

Sipas ndarjes së re të propozuar nga qeveria për çmimet e referencës së ndërtesave për banim, qyteti i Durrësit aktualisht ka një çmim të vetëm reference prej 67,500 lekësh për metër katror. Me hartën e re të çmimeve kadastrale, qyteti i Durrësit parashikohet të ndahet në 12 zona.
Zona kadastrale nr. 12 do të përfshijë të gjitha fshatrat e bashkisë Durrës, për të cilat është propozuar një çmim reference prej 67,500 lekësh për metër katror, i njëjtë me çmimin aktual të qytetit. Ndërkohë, 11 zonat e tjera urbane të Durrësit do të kenë çmime reference që variojnë nga 68,000 lekë deri në 200,000 lekë për metër katror.
Skema e re e çmimeve të referencës, ku për herë të parë përfshihen zyrtarisht edhe fshatrat, ndjek të njëjtin parim në të gjithë vendin. Për shumicën e zonave rurale, çmimet fiskale janë propozuar në nivele të barabarta me çmimet aktuale që aplikohen sot për rrethet.
Fshatrat ku çmimet barazohen me rrethet
Sipas tabelave dhe hartave të publikuara, në shumë bashki fshatrat do të kenë të njëjtin çmim reference me qytetin përkatës. Për shembull, në bashkinë Pogradec, pas rishikimit të projektvendimit fillestar, është shtuar një zonë e tretë kadastrale që përfshin të gjithë fshatrat, nga zona pranë liqenit deri në fshatrat e Mokrës.
Për këto zona rurale është propozuar çmimi i referencës 49,900 lekë për metër katror, i njëjtë me çmimin aktual që aplikohet sot për qytetin e Pogradecit. Qyteti i Pogradecit, nga ana tjetër, ndahet në dy zona urbane, me çmime 60,000 lekë për zonën pranë vijës liqenore dhe 50,000 lekë për zonën e brendshme.
Përjashtime për zonat turistike bregdetare
Për disa zona rurale bregdetare me zhvillim të lartë turistik, qeveria ka propozuar çmime reference më të larta se ato të rretheve. Një prej rasteve më domethënëse është fshati Dhërmi në bashkinë Himarë.
Për vijën e parë bregdetare në Dhërmi, çmimi i referencës propozohet në nivelin 140,000 lekë për metër katror. Ndërsa për zonat e tjera të fshatit, pas vijës bregdetare, çmimi i referencës do të jetë 58,000 lekë për metër katror, i barabartë me çmimin aktual të qytetit të Himarës.
E gjithë bashkia Himarë ndahet në pesë zona kadastrale, ku çmimi më i lartë prej 140,000 lekësh përfshin vijën e parë bregdetare të fshatrave Dhërmi dhe Palasë.
Një tjetër zonë me çmime të larta reference është Gjiri i Lalzit dhe Hamallaj. Për vijën e parë bregdetare të këtyre fshatrave, çmimi i referencës është propozuar në 190,000 lekë për metër katror, ndërsa për pjesën tjetër të territorit çmimi do të jetë 67,500 lekë për metër katror, i njëjtë me çmimin aktual të qytetit të Durrësit.
Ndikimi në taksa dhe ndarjen kadastrale
Mbi çmimet e referencës, bashkitë llogarisin detyrimet për taksën e ndërtesës dhe taksën e ndikimit në infrastrukturë. Aktualisht, për zonat rurale, në mungesë të çmimeve specifike, përdorej çmimi i qytetit i reduktuar deri në 35%.
Me ndryshimet e reja të propozuara, bashkitë nuk do të kenë më të drejtë të aplikojnë këtë reduktim për zonat rurale, por do të detyrohen të zbatojnë çmimet e reja fiskale të miratuara nga qeveria.
Me ndarjen e re, territori i vendit do të përfshihet në gjithsej 176 zona kadastrale, pa përfshirë 31 zonat e Tiranës. Nga ky total, rreth 60 zona janë zona rurale që përfshihen për herë të parë në hartën zyrtare të çmimeve të referencës.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






