Bankat raportojnë shtrëngim të standardeve në kredinë për shtëpi
Bankat kanë shtrënguar standardet e kreditimit për blerjen e banesave në fund të vitit 2025, të nxitura nga rritja e perceptuar e riskut në tregun e pasurive të paluajtshme dhe nga masat rregullatore të Bankës së Shqipërisë.
Bankat raportuan shtrëngim të standardeve të kreditimit për blerjen e banesave në tremujorin e fundit të vitit të kaluar. Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të Bankës së Shqipërisë, ky shtrëngim u nxit kryesisht nga rreziku i perceptuar prej bankave për situatën aktuale dhe atë të pritur në tregun e banesave.
Kufizimet uniforme të vendosura në korrik të vitit 2025 nga Banka e Shqipërisë mbi raportin e kredisë ndaj vlerës së pasurisë dhe mbi raportin e shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave në kreditë e reja për pasuritë e paluajtshme, u raportuan gjithashtu si faktorë që vepruan në kahun shtrëngues të standardeve të kreditimit.
Kolateral më i lartë, kushte të tjera të pandryshuara
Shtrëngimi i kushteve dhe termave të kreditimit u realizua kryesisht përmes kërkesave më të larta për kolateral në raport me shumën e kredisë për blerjen e banesave. Sipas bankave, të gjithë elementët e tjerë, si çmimi i kredisë dhe kriteret joçmimore, mbetën të pandryshuara gjatë kësaj periudhe.
Ndërkohë, për kreditë konsumatore, standardet e kreditimit u raportuan të pandryshuara në tremujorin e fundit të vitit.
Miratime më të larta, por kërkesë në rënie
Pavarësisht shtrëngimit të standardeve në segmentin e kredive për shtëpi, bankat raportuan një shkallë më të lartë miratimi të kredive për individët në tremujorin e fundit të vitit 2025. Sipas tyre, kjo u ndikua pozitivisht nga cilësia e portofolit ekzistues të kredive dhe historiku i marrëdhënieve të kredimarrësve me bankat.
Në të njëjtën kohë, kërkesa e individëve për kredi u raportua në rënie, si për blerjen e banesave, ashtu edhe për kreditë konsumatore. Bankat vlerësojnë se kjo rënie lidhet me nevoja më të ulëta për financim, zhvillimet aktuale dhe të pritshme në tregun e pasurive të paluajtshme, si dhe me kufizimet rregullatore që hynë në fuqi në korrik të vitit 2025.
Pritshmëri më pozitive për vitin 2026
Për tremujorin e parë të vitit 2026, bankat presin që kërkesa për kredi të rritet, si në segmentin e kredive për blerjen e banesave, ashtu edhe në kreditë konsumatore.
Që prej korrikut 2025, Banka e Shqipërisë ka vendosur disa masa kufizuese për të frenuar rritjen e shpejtë të kredisë për blerjen e banesave nga individët. Megjithatë, deri tani efekti i këtyre masave nuk është reflektuar ndjeshëm në volumin e huadhënies.
Të dhënat progresive për 11-mujorin e vitit 2025 tregojnë se kredia për blerje banesash ka arritur një rekord të ri historik. Gjatë kësaj periudhe, sektori bankar disbursoi rreth 59 miliardë lekë kredi për banesa, ose 24.5% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.