Secondary Adv

Davos 2026 mes tensioneve gjeopolitike, Europa kundër planit të Trump për Groenlandën

Forumi Ekonomik Botëror në Davos po zhvillohet këtë vit në një klimë të tensionuar gjeopolitike.

Europa shfaqet e bashkuar përballë ambicieve të SHBA-së ndaj Groenlandës, ndërsa lufta në Ukrainë mbetet në qendër të shqetësimeve të sigurisë globale. Këtë javë, qindra udhëheqës të lartë politikë nga e gjithë bota, përfshirë rreth 65 krerë shtetesh dhe qeverish, janë mbledhur në Davos për takimin vjetor të Forumit Ekonomik Botëror.

 

Samiti zhvillohet në një nga momentet më komplekse gjeopolitike të dekadave të fundit, mes fragmentimit të rendit ndërkombëtar, tensioneve tregtare dhe pasigurive të sigurisë globale. Pjesëmarrësit përfaqësojnë vendet e G7-ës, ekonomitë e G20 dhe bllokun BRICS, ndërsa diskutimet janë përqendruar te siguria, tregtia globale, energjia dhe arkitektura e re e rendit botëror.

 

Europa përballë tarifave dhe presioneve amerikane

Në një fjalim të posaçëm, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, theksoi përpjekjet e Bashkimit Europian për të ndërtuar marrëdhënie të reja tregtare dhe për t’u përshtatur me epokën e re të tarifave dhe proteksionizmit amerikan. Ajo nënvizoi se Europa duhet të përshtatet me një arkitekturë të re sigurie, në kushtet e kërcënimeve dhe rivaliteteve të reja globale.

 

Macron: Kundër “ligjit të më të fortit”

Presidenti francez Emmanuel Macron u shpreh se Europa duhet të mbrojë multilateralizmin dhe sundimin e ligjit, përballë një zhvendosjeje drejt “ligjit të më të fortit”. Ai theksoi se stabiliteti dhe rritja ekonomike nuk mund të ndërtohen përmes presionit dhe bullizmit, por përmes bashkëpunimit dhe respektimit të rregullave ndërkombëtare.

 

NATO: Vëmendja të mos largohet nga Ukraina

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, duke folur në një panel në Forumin Ekonomik Botëror, theksoi se fokusi kryesor i komunitetit ndërkombëtar duhet të mbetet lufta në Ukrainë.

“Çështja kryesore nuk është Groenlanda tani, çështja kryesore është Ukraina”, deklaroi Rutte, duke shtuar se është i shqetësuar se vëmendja globale mund të shpërqendrohet nga konflikti, për shkak të debateve mbi tema të tjera gjeopolitike.

Sipas tij, pavarësisht humbjeve të mëdha njerëzore, Rusia vijon të intensifikojë sulmet ndaj Ukrainës. “Pavarësisht humbjeve në dhjetëra mijëra njerëz në dhjetor, Rusia po i shton ende sulmet e saj ndaj Ukrainës”, theksoi Rutte, duke bërë thirrje për unitet dhe mbështetje të vazhdueshme për Kievin.

 

Thirrje për bashkëpunim global

Kryeministri kanadez Mark Carney dhe zëvendëskryeministri kinez He Lifeng paralajmëruan për dobësimin e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ata theksuan se luftërat tregtare, tarifat dhe izolimi ekonomik nuk kanë fitues dhe se bashkëpunimi mbetet thelbësor për stabilitetin global.

 

Davos mes politikës dhe biznesit global

Përveç liderëve politikë, në Davos marrin pjesë edhe rreth 850 drejtues ekzekutivë të kompanive më të mëdha në botë. Diskutimet pritet të fokusohen në balancimin mes interesave ekonomike, sigurisë globale dhe sfidave gjeopolitike, në një botë që po hyn në një fazë të re pasigurie dhe rivaliteti strategjik.

 

Burimi: Scan


Më të lexuarat