25 per qind e punonjësve të ndërtimit të deklaruar, me paga deri në 50 mijë lekë
Administrata tatimore evidenton përqendrim të lartë pagash në fashat e ulëta në sektorin e ndërtimit.
Në sektorin e ndërtimit rezultojnë të punësuar gjithsej 64,572 punonjës, duke reflektuar një përqendrim të ndjeshëm të pagave në fashat e ulëta dhe të mesme. Të dhënat pasqyrohen në dokumentin “Plani i menaxhimit të riskut për sektorin e ndërtimit (informaliteti dhe pagat referencë)”, të publikuar nga administrata tatimore.
Sipas dokumentit, rreth një e katërta e punonjësve në sektor, ose afërsisht 25%, përfitojnë paga që përfshihen në fashën 40,001 – 50,000 lekë në muaj, duke e bërë këtë fashë atë me përqindjen më të lartë të të punësuarve. Një pjesë e konsiderueshme e punonjësve paguhen edhe në fashën 50,001 – 70,000 lekë, ku përfshihen rreth 22% e totalit, si dhe në fashën deri në 40,000 lekë, me rreth 18% të punonjësve.
Ndërkohë, 12% e punonjësve rezultojnë të paguhen me paga deri në 39,999 lekë, po aq sa edhe ata që marrin paga në fashën 70,001 – 100,000 lekë. Përqindja e punonjësve me paga më të larta mbetet dukshëm më e ulët, ku vetëm 3% përfitojnë paga nga 100,001 deri në 120,000 lekë, ndërsa rreth 7% marrin paga mbi 120,000 lekë në muaj.
Ndërtimi, sektor prioritar për kontrollin e informalitetit
Në dokument, administrata tatimore thekson se sektori i ndërtimit mbetet një nga prioritetet kryesore për shkak të nivelit të lartë të informalitetit dhe ndikimit të tij të drejtpërdrejtë në të ardhurat buxhetore dhe në tregun e punës. Vendosja e pagave referuese dhe përdorimi i analizës së thelluar të riskut për identifikimin e rasteve të nën-deklarimit konsiderohen instrumente kyçe për formalizimin e sektorit dhe forcimin e administrimit tatimor.
Përqendrimi i aktivitetit dhe kompanitë e ndërtimit
Dokumenti evidenton gjithashtu se në vend janë aktivë 8,784 tatimpagues në sektorin e ndërtimit. Rreth 4,123 subjekte, ose 47% e tyre, ushtrojnë aktivitet në Tiranë, ndërsa 14% operojnë në Durrës. Në Vlorë dhe Fier është përqendruar nga 6% e firmave të ndërtimit.
Sa i përket ndarjes sipas llojit të aktivitetit, 27% e subjekteve të ndërtimit janë të angazhuara në ndërtimin e ndërtesave rezidenciale dhe jorezidenciale. Në anën tjetër, ndërtimi i hekurudhave mbi dhe nën tokë përfaqëson aktivitetin me përqindjen më të ulët, me rreth 0.1% të totalit të tatimpaguesve të sektorit.
Në total, nga 64,572 punonjësit e sektorit të ndërtimit, rreth 40% janë të angazhuar në ndërtimin e ndërtesave rezidenciale dhe jorezidenciale, duke konfirmuar dominimin e këtij segmenti në strukturën e punësimit.