Secondary Adv

Rregullorja e re për turizmin, si do të funksionojë kategorizimi i strukturave akomoduese

Procedura e re standardizon certifikimin, kontrollin dhe formalizimin e akomodimit turistik.

Rregullorja e re për strukturat akomoduese, e botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton një procedurë të detajuar dhe të standardizuar për kategorizimin, certifikimin dhe kontrollin e tyre, me synim rritjen e formalizimit, transparencës dhe cilësisë në sektorin e turizmit. Sipas aktit, strukturat ndahen në tri klasa kryesore, në varësi të llojit të aktivitetit dhe formës së akomodimit që ofrojnë.

 

Klasa 5510 përfshin hotele dhe struktura të ngjashme, si resorte, qendra kurative, motele, bujtina (B&B), struktura akomoduese të trashëgimisë kulturore dhe dhoma hoteli të shpërndara. Klasa 5520 përfshin akomodime për pushime dhe akomodime kolektive, si hostele, apartamente, blloqe apartamentesh dhe vila, ndërsa klasa 5530 përfshin hapësira për kamping dhe parqe për çadra ose rulota argëtimi.

 

Kriteret për bujtinat dhe standardet minimale

Bujtinat duhet të përmbushin kritere të qarta për ndërtimin, mirëmbajtjen, pastërtinë dhe sigurinë, duke respektuar stilin tradicional lokal dhe integrimin harmonik në mjedisin përreth. Ndërtesat duhet të jenë të qëndrueshme dhe të sigurta, me ambiente të pastra, të ndriçuara dhe të ajrosura mirë, pajisje funksionale elektrike dhe hidraulike, si dhe sisteme ventilimi natyral ose mekanik.

 

Dhomat e gjumit duhet të kenë hyrje të pavarur, sipërfaqe minimale të përcaktuara, mobilim bazë funksional, shtretër cilësorë, ndriçim, ngrohje ose ftohje dhe kushte të garantuara sigurie dhe rehatie për klientët gjatë gjithë qëndrimit.

 

Një element thelbësor i rregullores është mirëseardhja dhe informimi i vizitorëve. Struktura duhet të disponojë zonë pritjeje dhe të ofrojë informacion të qartë për aktivitetet në zonë, atraksionet turistike, kulturore dhe natyrore përreth, si dhe shërbimet që ofrohen. Në rastet kur ofrohet ushqim, ai duhet të jetë kryesisht tradicional, i përgatitur me produkte vendase dhe në përputhje me rregullat e higjienës dhe sigurisë ushqimore.

 

Fazat e procesit të kategorizimit

Procesi i kategorizimit zhvillohet në tri faza të njëpasnjëshme. Fillimisht, sipërmarrësi turistik kryen vetëdeklarimin përmes portalit unik qeveritar “e-Albania”, duke plotësuar formularin e aplikimit dhe duke ngarkuar dokumentacionin shoqërues. Faza e dytë përfshin shqyrtimin e dokumentacionit nga Komisioni i Standardizimit të Veprimtarive Turistike, ndërsa faza e tretë parashikon verifikimin në terren vetëm në rastet kur kjo kërkohet nga Komisioni.

 

Vetëdeklarimi kryhet tërësisht online dhe vendos përgjegjësinë ligjore mbi sipërmarrësin ose individin për vërtetësinë e të dhënave të deklaruara. Dokumentacioni përfshin certifikatën e pronësisë ose dokumente alternative, planimetrinë e strukturës për çdo kat dhe fotografi aktuale të ambienteve të brendshme dhe të jashtme.

 

Nëpërmjet “e-Albania”, ministria përgjegjëse për turizmin siguron dokumente shtesë si vërtetimin e regjistrimit në QKB, gjendjen gjyqësore, masat e mbrojtjes nga zjarri dhe kushtet higjieno-sanitare. Për strukturat “Dhomë”, “Apartament”, “Vilë” dhe “Bllok apartamentesh”, kërkesat për mbrojtjen nga zjarri dhe kushtet higjieno-sanitare vetëdeklarohen nga individi.

 

Afatet dhe vendimmarrja

Komisioni i Standardizimit shqyrton aplikimin brenda 10 ditëve nga data e aplikimit. Në rast mangësish, aplikuesi njoftohet brenda 2 ditëve dhe ka një afat 10-ditor për plotësimin e tyre. Kur lindin dyshime mbi të dhënat e deklaruara, kërkohet verifikim në terren dhe raporti i gjetjeve paraqitet brenda 5 ditëve nga vizita. Afati i shqyrtimit mund të shtyhet, por jo më shumë se 30 ditë, me njoftim përmes “e-Albania”.

 

Në përfundim, Komisioni merr vendim për lëshimin ose refuzimin e certifikatës së kategorizimit dhe ia përcjell për miratim ministrit. Çdo refuzim duhet të jetë i arsyetuar dhe t’i komunikohet aplikuesit brenda 5 ditëve pune.

 

Certifikata dhe detyrimet pas miratimit

Certifikata e kategorizimit përmban emrin e subjektit, NIPT-in, emërtimin dhe adresën e strukturës, kategorinë, datën e lëshimit dhe nënshkrimin e ministrit ose personit të autorizuar. Për kategoritë “Dhomë”, “Apartament” dhe “Vilë”, certifikata nuk përmban emrin e subjektit dhe NIPT-in, gjenerohet online në “e-Albania” dhe duhet të afishohet në zonën e pritjes, ndërsa kategoria vendoset në hyrjen kryesore ose fasadën e strukturës.

 

Çdo certifikatë regjistrohet në Regjistrin Qendror të Turizmit dhe, në rast dhënieje me qira ose shitjeje të strukturës, poseduesi ose blerësi duhet të aplikojë për një certifikatë të re. Rregullorja parashikon gjithashtu mundësinë e ndryshimit të kategorisë dhe përcakton për çdo lloj akomodimi kushtet minimale të ushtrimit të aktivitetit, nga orenditë dhe pajisjet deri te kushtet higjieno-sanitare dhe elementët e sigurisë.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat