Secondary Adv

Shqipëria kryeson Evropën për rritjen e fluturimeve, 148.6 për qind më shumë se para pandemisë

Fluturimet komerciale në 2025 shënuan rritjen më të lartë në kontinent, duke e vendosur Shqipërinë në krye të Europës.

Fluturimet komerciale mbeten një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të turizmit dhe lëvizshmërisë ndërkombëtare dhe në këtë drejtim Shqipëria ka shënuar një performancë të jashtëzakonshme gjatë vitit 2025, duke u renditur si vendi me rritjen më të lartë të fluturimeve komerciale në Europë, krahasuar me periudhën para pandemisë.

 

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga, gjatë vitit 2025 rritja mesatare vjetore e fluturimeve komerciale në Shqipëri ka arritur në 148.6%, duke reflektuar një rimëkëmbje shumë të fortë të sektorit ajror dhe një kërkesë në rritje për udhëtime drejt vendit. Kulmi i kësaj rritjeje është shënuar në muajin tetor, kur fluturimet u rritën me 173.3% krahasuar me të njëjtën periudhë para pandemisë.

 

Edhe muaji dhjetor ka vijuar me rezultate pozitive, pasi krahasuar me dhjetorin e para-pandemisë, fluturimet komerciale në Shqipëri kanë shënuar një rritje prej 106.8%, duke konfirmuar se trendi pozitiv ka vijuar edhe në mbyllje të vitit. Me këto rezultate, Shqipëria jo vetëm që kryeson rajonin, por renditet e para edhe në nivel europian për rritjen e fluturimeve komerciale.

 

Krahasimi me rajonin dhe Europën

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, pas Shqipërisë renditet Bosnje dhe Hercegovina, e cila është futur në mesin e 10 vendeve me rritjen më të lartë vjetore të fluturimeve, ndërsa për muajin dhjetor ka shënuar një rritje prej 50.8%. Më pas vjen Serbia me një rritje prej 42.3%, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 28.8%.

 

Në të kundërt, Mali i Zi ka shënuar rënie të fluturimeve komerciale. Konkretisht, gjatë muajit dhjetor është regjistruar një ulje prej 6.5%, duke reflektuar një ngadalësim të aktivitetit ajror, të lidhur kryesisht me faktorë sezonalë dhe ndryshime në kërkesën turistike.

 

Sa i përket vendeve europiane me performancë pozitive, përveç Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, rritje të ndjeshme kanë shënuar edhe Qiproja me 43%, si dhe Greqia dhe Sllovakia, të cilat kanë përfituar nga forcimi i turizmit dhe zgjerimi i linjave ajrore.

 

Vendet me rënie të fluturimeve

Në anën tjetër, vendet që kanë pësuar rënien më të madhe të fluturimeve gjatë vitit janë kryesisht ato nordike, si Finlanda, Suedia dhe Norvegjia, ku faktorët klimatikë dhe ndryshimet në kërkesë kanë ndikuar ndjeshëm. Për muajin dhjetor, rënien më të theksuar e ka shënuar Letonia me 25.6%, e ndjekur nga Suedia dhe Gjermania.

 

Këto të dhëna konfirmojnë se Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një nyje e rëndësishme ajrore në rajon, duke reflektuar rritjen e interesit turistik, zgjerimin e ofertës së fluturimeve dhe një pozicionim gjithnjë më të fortë në hartën europiane të udhëtimeve.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat