Trump dhe liderët e 19 shteteve nënshkruajnë në Davos marrëveshjen për Bordin e Paqes për Gazën
Në Davos u firmos marrëveshja që e bën Bordin e Paqes për Gazën një organizatë ndërkombëtare funksionale.
Në Davos të Zvicrës po mbahet ceremonia e prezantimit të Bordit të Paqes për Gazën, ku marrin pjesë disa krerë shtetesh dhe përfaqësues të lartë, mes tyre Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Pas nënshkrimit të deklaratës themeluese nga Trump dhe liderë të tjerë shtetesh, Bordi i Paqes për Gazën është zyrtarisht funksional si një organizatë ndërkombëtare.
Prezantimi i Bordit të Paqes në Davos
Organizata e re do të udhëhiqet nga Presidenti amerikan Donald Trump. Në ceremoninë e prezantimit morën pjesë liderë të vendeve që do të jenë pjesë e Bordit të Paqes, përfshirë edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ishte i pranishëm në takim.
Mesazhi i Trump për Gazën
Gjatë fjalës së tij, Presidenti Trump u shpreh i bindur se kjo organizatë do të ketë sukses në Gaza. Ai theksoi se pjesëmarrës në Bordin e Paqes janë kryesisht liderë të vendeve që e mbështesin atë, duke shtuar se të gjitha shtetet që kanë marrë ftesë mund të bëhen pjesë e Bordit. Trump rikujtoi edhe vuajtjet e popullit të Gazës, duke deklaruar se më herët njerëzit po vdisnin urie, por sipas tij kjo situatë nuk do të përsëritet më.
Nënshkrimi i deklaratës dhe shtetet pjesëmarrëse
Presidenti amerikan nënshkroi i pari dokumentin themelues të Bordit të Paqes për Gazën, duke e formalizuar atë si një organizatë ndërkombëtare. Pas tij, dokumenti u firmos me radhë nga udhëheqësit dhe përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse. Deklarata u votua edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila më herët zhvilloi një takim të shkurtër kokë më kokë me Presidentin Trump.
Shtetet që nënshkruan ngritjen e Bordit të Paqes për Gazën në Davos janë Bahreini, Maroku, Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bullgaria, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Kosova, Pakistani, Paraguai, Katari, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistani dhe Mongolia.
Disa shtete nuk ishin të pranishme fizikisht në ceremoninë e nënshkrimit në Davos, edhe pse kanë pranuar të bëhen pjesë e Bordit të Paqes, siç është rasti i Shqipërisë. Në përfundim të ceremonisë, Presidenti Trump deklaroi se shumë shtete të tjera i janë bashkuar Bordit të Paqes, pa dhënë një numër konkret.