Harta e pasurive të konfiskuara të krimit, Lezha rekord në 2025
Në 2025 janë 233 pasuri të konfiskuara nga krimi, me Lezhën që shënon numrin më të lartë.
Rreth 233 është numri i pasurive të konfiskuara nga shtetas që kanë kryer vepra penale të trafikimit, korrupsionit apo krimit të organizuar, pasuri të cilat aktualisht janë në administrim të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK). Sipas të dhënave zyrtare, viti 2025 shënon një numër më të ulët konfiskimesh krahasuar me vitin 2024.
Lezha në krye të hartës së konfiskimeve
Ndryshe nga viti 2024, kur shumica e pasurive të konfiskuara ishin përqendruar në Tiranë, viti 2025 ka ndryshuar ndjeshëm hartën e konfiskimeve në vend. Sipas katalogut të publikuar nga AAPSK, Lezha rezulton qarku me numrin më të lartë të pasurive të konfiskuara, me gjithsej 56 prona që i kanë kaluar shtetit pas vendimeve gjyqësore.
Qarqet e tjera me numër të lartë pasurish
Pas Lezhës renditet Durrësi me 40 pasuri të konfiskuara, ndërsa Tirana ka regjistruar 33 të tilla. Vlora numëron 30 pasuri të konfiskuara vetëm në qytet, pa përfshirë rrethinat dhe jo gjithë qarkun, ndërsa Berati mbyll renditjen me 18 pasuri që kanë kaluar në pronësi të shtetit.
Llojet e pasurive dhe përdorimi i tyre
Pasuritë e konfiskuara nga viti në vit janë të shumëllojshme dhe përfshijnë ndërtesa, apartamente, godina banimi, truall, toka arë, dyqane veshjesh, biznese bar-kafe, garazhe, ambiente bilardoje, fast food, pastiçeri dhe prona të tjera të ngjashme.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara i merr këto pasuri në dorëzim nga Policia e Shtetit dhe i administron ato në emër të shtetit. Pasuritë e konfiskuara mund të nxirren në shitje përmes ankandeve publike ose të jepen me qira.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre pasurive përdoret për dëmshpërblimin financiar të viktimave të krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore, ndërsa të tjera mund t’u kalojnë institucioneve shtetërore për përdorim si zyra ose të shfrytëzohen për qëllime sociale.
Ndërkohë, vlerat monetare të konfiskuara depozitohen në llogari bankare ose investohen në bono thesari, duke u kthyer në burim financiar për shtetin.