Hapet aplikimi për DIVA: e-Tax llogarit automatikisht kompensimin e arsimit
Është hapur sistemi e-Tax për plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA).
Kush përfiton kompensimin për fëmijët
Siç është sqaruar edhe më herët, kompensimi për fëmijët përfitohet nga individët që, pas rillogaritjes vjetore të tatimit, rezultojnë me tatim të mbipaguar. Kjo ndodh pasi nga baza e tatueshme zbriten shpenzime standarde për fëmijët dhe për të ardhurat nga punësimi.
Diferenca mes tatimit vjetor të paguar gjatë vitit 2025 dhe tatimit të rillogaritur pas zbritjeve, kthehet si kompensim. Zbritja është 48 mijë lekë në vit për çdo individ, pavarësisht nivelit të të ardhurave, dhe 100 mijë lekë në vit nëse të ardhurat janë deri në 1.2 milionë lekë.
Llogaritja automatike nga sistemi e-Tax
Sistemi e-Tax e llogarit automatikisht vlerën e kompensimit sapo kryhet deklarimi i të ardhurave, edhe për ata individë që nuk kanë detyrim ligjor për plotësimin e DIVA-s, por që e bëjnë atë për të përfituar kompensimin.
Në një rast konkret të reflektuar në DIVA, një individ me të ardhura vjetore për vitin 2025 në vlerën 1.47 milionë lekë kishte paguar gjatë vitit tatim në shumën 144,424 lekë.
Zbritjet e aplikuara në DIVA
Individit i janë zbritur nga të ardhurat nga punësimi 360 mijë lekë në vit, ose 30 mijë lekë në muaj, sipas nenit 22, pika 1, germat a, b dhe c, si dhe shuma prej 48 mijë lekësh si kompensim për një fëmijë nën 18 vjeç.
Pas këtyre zbritjeve, baza e të ardhurave të tatueshme rezulton 1 milion lekë, ndërsa tatimi i rillogaritur arrin në 138,184 lekë.
Sa është kompensimi dhe si përfitohet
Tatimi i mbipaguar në këtë rast është 6,240 lekë, i llogaritur si diferencë mes tatimit të paguar gjatë vitit dhe tatimit të rillogaritur. Kjo shumë përbën vlerën e kompensimit që individi ka të drejtë të përfitojë.
Kompensimi tërhiqet pas paraqitjes së kërkesës pranë tatimeve rajonale, brenda 3 muajve nga afati i dorëzimit të DIVA-s.
Kush ka detyrim të plotësojë DIVA-n
Detyrimin për plotësimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave e kanë individët me të ardhura mbi 1.2 milionë lekë në vit, të dypunësuarit, si dhe ata që kanë realizuar të ardhura të padeklaruara mbi 50 mijë lekë në vit nga qiraja, honorarë apo burime të tjera.
Risi këtë vit është edhe mundësia e plotësimit të DIVA-s nga individët që nuk kanë detyrim, por që synojnë të përfitojnë kompensimin për fëmijët.
Si plotësohet DIVA për herë të parë
Individët që e plotësojnë për herë të parë DIVA-n mund të aksesojnë lehtësisht sistemin përmes faqes së tatimeve, te rubrika e-Shërbime për individët, duke u identifikuar nëpërmjet platformës e-Albania.