Secondary Adv

Buxheti zhvendoset te investimet publike, arsimi dhe shëndetësia me financim gjithnjë e më të ulët

Treguesit buxhetorë afatmesëm 2025–2029 tregojnë se qeverisja vijon të mbështetet kryesisht te investimet kapitale, ndërsa arsimi dhe shëndetësia mbeten në plan të dytë.

Investimet kapitale në nivele rekord

Sipas Kuadrit të ri Makroekonomik 2027–2029, shpenzimet kapitale pritet të lëvizin në intervalin 6–6.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto në vit gjatë periudhës afatmesme. Në vitin 2026, investimet kapitale arrijnë në 6.5% të PBB-së, një nivel dukshëm më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, ku investimet publike zakonisht luhaten rreth 3–3.5% të PBB-së.

 

Kjo e pozicionon Shqipërinë ndër ekonomitë më të orientuara drejt investimeve publike në rajon dhe në Europë, duke reflektuar një strategji zhvillimi të mbështetur fort te ndërtimi dhe infrastruktura si motorë të rritjes ekonomike.

 

Shëndetësia humbet peshë në ekonomi

Në kontrast të fortë me investimet kapitale, financimi për shëndetësinë mbetet i ulët dhe në rënie relative. Shpenzimet për shëndetësinë, të përfaqësuara kryesisht nga skema e sigurimeve shëndetësore, luhaten rreth 2.4% të PBB-së në vitet 2025–2026 dhe parashikohet të bien gradualisht në 2.1% të PBB-së në vitin 2029.

 

Kjo do të thotë se, në terma relativë, shëndetësia po humbet peshë në ekonomi, pavarësisht rritjes së nevojave për shërbime shëndetësore për shkak të plakjes së popullsisë dhe emigrimit të personelit mjekësor.

 

Arsimi me financim gjithnjë e më të ulët

Edhe arsimi pritet të përjetojë një tkurrje të financimit si në raport me PBB-në, ashtu edhe me shpenzimet totale buxhetore. Shpenzimet publike për arsimin në vitin 2022 ishin 2.9% e PBB-së, ndërsa për vitin aktual parashikohet të jenë rreth 2.4%.

 

Sipas projeksioneve buxhetore, në vitin 2028 fondet për arsimin do të bien në vetëm 2.1% të PBB-së, duke treguar se, pavarësisht rritjes ekonomike, arsimi po merr një pjesë gjithnjë e më të vogël të burimeve publike.

 

Rritje përmes betonit, jo produktivitetit

Struktura e buxhetit tregon se rritja ekonomike po kërkohet kryesisht përmes investimeve fizike dhe jo përmes përmirësimit të produktivitetit të punës, cilësisë së arsimit apo shëndetit të forcës punëtore.

 

Në afat të shkurtër, kjo qasje mund të mbështesë rritjen përmes ndërtimit dhe punësimit në sektorë të lidhur me infrastrukturën. Por në afat të gjatë, rreziku është krijimi i një ekonomie me shumë kantiere ndërtimi dhe gjithnjë e më pak mësues, mjekë dhe profesionistë të kualifikuar.

 

Investime të shpërndara, pa efekt transformues

Pavarësisht nivelit të lartë të shpenzimeve për investime publike, vendi vijon të vuajë nga mungesa e infrastrukturës bazë në zonat ku është përqendruar popullsia dhe aktiviteti ekonomik, veçanërisht në Tiranë dhe zonën metropolitane përreth.

 

Kapitali publik shpërndahet në qindra projekte të vogla, të fragmentuara dhe pa sinergji mes tyre, duke mos arritur të krijojë projekte me ndikim real transformues. Kjo copëzim e buxhetit, nga njëra anë ul eficiencën e investimeve dhe nga ana tjetër krijon terren për abuzime, rinegocime kontratash dhe shtesa fondesh.

 

Pasojat po ndihen në qendrat urbane

Pasojat e këtij modeli janë tashmë të dukshme. Qendrat kryesore urbane, ku jeton dhe punon mbi gjysma e popullsisë dhe ku prodhohet pjesa dërrmuese e PBB-së, mbeten të nënfinancuara në infrastrukturë urbane, transport publik, ujësjellës, kanalizime, shkolla, spitale, hapësira publike dhe strehim.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat