Gati ndërtimi i një Impianti për ujërat e ndotura në Berat, aktualisht derdhen në Osum
Një impiant i ri në Berat synon të trajtojë ujërat e zeza që sot derdhen pa filtruar në lumin Osum.
Berat do të jetë qyteti i radhës ku do të shtohet një impiant për trajtimin e ujërave të ndotura. Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve Berat-Kuçovë raportoi së fundmi pranë institucioneve koordinatat e sakta se ku do të zërë vend projekti, sipas detyrimeve që lindin nga kuadri ligjor, ndërkohë që dha detaje në lidhje me kapacitetin dhe punimet që do të kryhen në funksion të këtij impianti.
Sipas dokumentit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, projekti, pjesë e Programit të Infrastrukturës Bashkiake V (me horizont projektimi vitin 2045), synon të përmirësojë ndjeshëm grumbullimin dhe depozitimin e ujërave të zeza në zonën e Beratit përmes masave prioritare.
Kapaciteti dhe proceset e trajtimit
Dokumenti nënvizon ndërtimin e ITUN-it të ri në Berat me një kapacitet trajtimi prej 45,000 PE (ekuivalent për banor; 1 PE është ngarkesa mesatare ndotëse e prodhuar nga një banor në ditë). Trajtimi do të realizohet përmes proceseve mekanike dhe biologjike, duke përfshirë tretjen aerobike të llumit, heqjen e ujit nga llumi, tharjen diellore të llumit dhe gjenerimin e energjisë termike dhe elektrike përmes impianteve të kombinuara të nxehtësisë dhe energjisë (CHP), duke përdorur biogasin e prodhuar nga tretësi.
Mbrojtja nga erozioni dhe përmbytjet
Në kuadër të projektit parashikohet edhe mbrojtja nga erozioni i lumit dhe mbrojtja nga përmbytjet për zonën ku do të ndërtohet ITUN-i.
Rrjeti i ri i kanalizimeve dhe lidhja me impiantin
Një tjetër komponent është ndërtimi i 2,92 km rrjet të ri kanalizimesh, që do të lidhë zonën urbane të Beratit me ITUN-in e ri. Ky segment do të ndërtohet nga një pusete e re grumbullimi dhe struktura e kombinuar e tejpërderdhjes të kanalizimeve (CSO) në pikën ekzistuese të shkarkimit të sistemit pranë Rrugës Bostanet.
Stacioni i pompimit dhe rrjeti me presion
Projekti parashikon ndërtimin e stacionit të ri të pompimit në zonën e Gorricës së Re, si edhe një rrjet me presion për përcjelljen e ujërave drejt impiantit.
CSO-të në pikat ekzistuese të shkarkimit
Parashikohet gjithashtu ndërtimi i 6 CSO-ve të tjera që kryqëzojnë pikat ekzistuese të shkarkimit të ujërave të zeza në lokacionet “Kombit”, “Qyteti i Vjetër”, “Monument”, “Biblioteka”, “Otoman” dhe “Stadium”. Këto do të lidhen me rrjetin ekzistues të kanalizimeve përmes kanalizimeve të reja ose të rindërtuara të mëtejshme dhe/ose kanaleve përcjellëse dhe shkarkimeve.
Pse konsiderohet urgjent projekti
Sipas dokumentit, problemi më i madh për sa i përket higjienës dhe mbrojtjes së mjedisit në Zonën e Projektit është mungesa e Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Zeza në Berat, çka bën që ujërat e zeza të derdhen të patrajtuara, nëpërmjet disa daljeve, direkt në lumin Osum.