Secondary Adv

Paralizohen bizneset, sistemi Self-Care jashtë funksionit prej tre ditësh

Bizneset janë të paralizuara prej tre ditësh nga mosfunksionimi i sistemit Self-Care të e-Albania.

Prej tre ditësh aktiviteti i bizneseve është i bllokuar, pasi sistemi Self-Care, që menaxhohet nga e-Albania, nuk funksionon. “Nuk mund të hysh fare në platformën e faturave”, thotë një ekonomiste.

 

Sipas saj, bizneset e vogla, të cilët janë të vetëpunësuar të vetëm, përdorin platformën qendrore të faturave për të lëshuar faturë tatimore shitje për shërbimet e tyre dhe prej tre ditësh nuk mund të lëshojnë fatura, pasi platforma nuk punon. Problemet me sistemet kanë qenë të vazhdueshme që nga fundi i vitit të kaluar, por kjo është dita e tretë radhazi që bizneset nuk mund të aksesojnë sistemin.

 

Vështirësi në bilance dhe fiskalizim

Bizneset e vogla me të vetëpunësuar të vetëm nuk arrijnë të përgatisin bilancet, pasi nuk nxjerrin dot faturat e blerjes dhe të shitjes dhe tabelën përmbledhëse të të ardhurave dhe shpenzimeve totale të vitit, mbi bazën e së cilës përpilohet bilanci. Shumë prej tyre përdorin këtë platformë falas. Përmes këtij sistemi kryhet edhe ngarkimi i certifikatave të fiskalizimit dhe, nëse një subjekti i përfundon afati njëvjeçar i certifikatës gjatë këtyre ditëve, biznesi rrezikon të mbetet pa punë, pasi nuk mund ta rinovojë.

 

Reagimi institucional dhe kritikat

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), që menaxhon sistemin e e-Albania, nuk ka pranuar zyrtarisht se sistemi nuk funksionon, por burime të “Monitor” thanë se institucioni është në dijeni të problemit dhe po punon për ta zgjidhur. “U bënë si në kohë të luftës këto sistemet tona”, thotë me ironi një ekonomist.

 

Investime të larta, probleme të vazhdueshme

Investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në gjashtë vitet e fundit. Në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë, mbi 200 milionë euro, nga rreth 3.3 miliardë lekë në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në katër vjet, ose gati 500 milionë euro. Ndërkohë, në dekadën e fundit administrata është shtuar me 20 mijë persona, duke arritur në 184 mijë punonjës, por sërish bizneset nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat