Secondary Adv

Bizneset e turizmit duhet të vendosin POS me detyrim nga qershori i këtij viti

Duke filluar nga muaji qershor i këtij viti, bizneset e turizmit janë të detyruara të ngrenë infrastrukturën e nevojshme që u mundëson klientëve të paguajnë me kartë.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se këto biznese duhet të vendosin pajisjet POS në ambientet e tyre, me qëllim që klientët të mund të paguajnë edhe në mënyrë elektronike.

 

Sipas Ibrahimajt kjo masë merret për të lehtësuar turistët, të cilët kanë shprehur shumë ankesa për këtë ccështje.

 

“Kemi vënë dy afate, i pari që është në qershor të këtij viti, i cili lidhet dhe bën të detyrueshëm përdorimin e POS në sektorë që lidhen me turizmin, këtë e kemi bërë të nxitur nga nevoja që turistët kanë për të paguar me mjete pagesash elektronike dhe në dyqane që mund të jenë të vogla dhe që ende nuk kanë këto mjete dhe gjithashtu për të gjithë administratën publike vlen afati deri në muajin qershor”.

 

Ndërkohë, shtoi Ibrahimaj, që pjesa tjetër e ekonomisë ka afat një vit me qëllim që të pajiset me këto mjete të pagesave elektronike.

 

“Që prej vitit të kaluar kemi filluar një projekt me master card, i cili pikërisht synonte këtë, që të mbështeste bizneset shqiptare me qëllim pajisjen me metoda elektronike të pagesave, është një projekt që është në vazhdim. Ndërkohë që jemi duke diskutuar dhe me Visa dhe me gjithë bankat që operojnë në vend vend me qëllim garantimin e zbatimit të ligjit me kosto sa më të ulëta për tregtarët, pasi në fund të fundit gjithë qëllimi është që kostot të reduktohen, të përdoren pagesat elektronike dhe të nxitet përdorimi i tyre sa më parë”, nënvizoi Ibrahimaj.

 

Sipas saj, aktualisht kostot i mban biznesi.

 

“Ne synojmë që jo vetëm të ketë një kosto të reduktuar dhe të përdoren metoda inovative me qëllim që kostoja për investimin fillestar të jetë sa më e ulët dhe që kostot e transaksioneve të reduktohen dhe në planin e masave është parashikuar një nismë e Bankës së Shqipërisë, e cila do të ndryshojë kostot e transaksioneve me qëllim që për pjesën e pagesave me vlerë të vogël apo kesh të ketë një kosto më të ulët dhe të ketë një nxitje të tregtarëve me qëllim që të përdoren sa më shumë”, tha Ibrahimaj.

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat