Secondary Adv

Ibrahimaj: Ligj i ri për produktet Made in Albania brenda vitit 2026

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se brenda këtij viti do të miratohet ligji i ri për produktet “Made in Albania”, që do të ketë në fokus promovimin dhe rritjen e eksporteve të produkteve shqiptare.

Sa i takon sektorit fason që prej vitesh është në krizë, Ibrahimaj tha kjo fushë duhet reformuar.

 

Qeveria ka vendosur të mbështesë prodhimin shqiptar përmes një kuadri të ri ligjor. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha se brenda këtij viti do të miratohet një ligj për produktet “Made in Albania”, një nismë e re synon që të mbrojë produktet vendase.

 

“Një komponent tjetër është ligji që do të miratojmë brenda vitit 2026 për “Made in Albania”, i cili synon promovimin e produkteve vendase brenda dhe jashtë vendit, ndërtimin dhe mbrojtjen e brandit “Made in Albania” dhe nxitjen e eksporteve të produktit shqiptar”, tha Ibrahimaj.

 

Mbështje bizneset shqiptare do të kenë edhe me Bankën e Zhvillimit, që do t’i financojë për investimet që sipërmarrja do të kryejë.

 

“Nëpërmjet Bankës së Zhvillimit do të krijojmë instrumente për nxitjen dhe sigurimin e eksporteve, për mbështetjen e certifikimit të produkteve dhe për investime në teknologji dhe digjitalizim, me fokus të veçantë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, tha Ibrahimaj.

 

Sa i takon sektorit fason që vijon të vuaj pasojat e zhvlerësimit të euros dhe dollarit, Ibrahimaj tha se kjo industri ka nevojë për reformim.

 

“Ne kemi diskutuar për nevojën për reformim të këtij sektori, për nevojën për rritje të kapaciteteve të makinerive, për nevojën për automatizim të këtij sektori, por mbi të gjitha për nevojën që ky sektor duhet të prodhojë produkt me cikël të mbyllur dhe kemi qenë të gatshëm që ta mbështesim sektorin në forma të ndryshme”, tha Ibrahimaj.

 

Viti 2025 është mbyllur me bilanc negativ në tregtisë së mallrave, eksportet gjatë vitit të kaluar arritën në vlerën 3.4 miliardë euro, me rënie prej 6.1% krahasuar me vitin paraardhës kur ishin në vlerën 3.6 miliardë euro.

 

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat