Secondary Adv

E-Albania bllokon aktivitetin e bizneseve, prej një jave sistemi SelfCare jashtë funksionit

Bizneset nuk mund të fiskalizojnë apo kryejnë deklarime, ndërsa institucionet mohojnë problemin.

Ka më shumë se një javë që aktiviteti i bizneseve është i bllokuar, pasi një platformë kyçe, sistemi SelfCare që funksionon përmes e-Albania, nuk është funksionale. Edhe më herët sistemi ka shfaqur probleme, por aksesi ka qenë sporadik, ndërsa prej disa ditësh ai është tërësisht i papërdorshëm dhe ankesat e bizneseve kanë mbetur pa përgjigje. 

 

Probleme me mirëmbajtjen dhe hetime

Burime për “Monitor” bëjnë me dije se kanë lindur probleme me tenderin e mirëmbajtjes së sistemit, ndërsa një valë dorëheqjesh ka përfshirë AKSHI-n. Ndërkohë, SPAK ka nisur zyrtarisht hetimet për tenderat e dhënë nga ky institucion ndër vite. “Punonjësit e AKSHI po japin masivisht dorëheqjen nga detyra për ndjekjen e kontratave”, i tha “Monitor” një burim pranë institucionit.

 

Ankesat e bizneseve dhe detyrimet ligjore

Profesionistë dhe subjekte të ndryshme kanë vërshuar me email-e ankesash në adresat e institucioneve zyrtare. “Prej më shumë se një jave po hasim vështirësi në aksesimin e platformës SelfCare, pasi kjo platformë nuk lejon kryerjen e asnjë veprimi funksional dhe shfaqet vetëm në formë statike.

 

Si pasojë, procesi i fiskalizimit të faturave të shitjes, deklaratave doganore e të tjera është i pamundur, duke na penguar në përmbushjen e detyrimeve ligjore në përputhje me Ligjin nr. 87/2019, ‘Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit’, i ndryshuar”, thuhet në një nga ankesat e drejtuara institucioneve. Në të njëjtën kërkesë, bizneset i referohen nenit 26 të ligjit dhe VKM nr. 431, datë 03.06.2020, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e situatës.

 

Investime të mëdha, funksionim problematik

Kjo situatë po ndodh pavarësisht rritjes së ndjeshme të investimeve në qeverisjen digjitale gjatë gjashtë viteve të fundit. Në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë, mbi 200 milionë euro, nga rreth 3.3 miliardë lekë në vitin 2019, ndërsa në katër vite shuma totale ka shkuar në 48.4 miliardë lekë, ose gati 500 milionë euro. Në të njëjtën periudhë, administrata publike është zgjeruar me rreth 20 mijë punonjës, duke arritur në 184 mijë, por pavarësisht kësaj, bizneset vazhdojnë të mos gjejnë zgjidhje për problemet e tyre bazë.

 

Bizneset kërkojnë vetëm të punojnë

Situata ka krijuar paradoksin që në Shqipëri bizneset i “luten” qeverisë që t’i lërë të punojnë, në mënyrë që të përmbushin detyrimet ligjore dhe të paguajnë taksat, ndërsa një nga platformat më të rëndësishme shtetërore mbetet jashtë funksionit prej ditësh.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat