Nga energjia te investimet e huaja dhe punësimi, reformat për rritjen ekonomike 2026-2028
Programi i Reformave Ekonomike synon rritje të PBB-së përmes energjisë, investimeve dhe tregut të punës.
Qeveria synon që punësimi dhe energjia të jenë dy reformat kryesore me ndikimin më të madh në Prodhimin e Brendshëm Bruto për periudhën 2026–2028, sipas Programit të Reformave Ekonomike të publikuar në Qendrën e Botimeve Zyrtare. Dokumenti parashikon një paketë reformash që mbështet skenarin alternativ të rritjes, duke kombinuar investime, përmirësime institucionale dhe masa në tregun e punës.
Investimet në energji dhe eksporte
Sipas dokumentit, paketa e reformave përfshin investime të konsiderueshme në prodhimin e energjisë së rinovueshme me vlerë rreth 914 milionë euro, si dhe investime shtesë prej 117.8 milionë eurosh në eficiencën e energjisë. Paralelisht, programi parashikon një përmirësim kumulativ të performancës së eksporteve, ekuivalent me një rritje prej 1 pikë përqindje të PBB-së në një vit, për dy vite radhazi.
Po ashtu, synohet rritja e flukseve të investimeve të huaja direkte me 5 për qind, e aplikuar në 40 për qind të totalit të IHD-ve, duke forcuar më tej kapacitetin prodhues dhe potencialin ekonomik të vendit.
Tregu i punës dhe efikasiteti institucional
Reformat në tregun e punës pritet të rrisin punësimin total me rreth 1.3 për qind krahasuar me nivelin bazë. Ndërkohë, masat që synojnë përmirësimin e efikasitetit gjyqësor në të gjitha nivelet vlerësohet se do të forcojnë mjedisin institucional dhe do të kontribuojnë në një rritje shtesë prej 0.9 për qind të produktivitetit total të faktorëve, e cila përkthehet në rreth 0.8 për qind rritje të PBB-së potenciale.
Ndikimi në rritjen ekonomike
Të marra së bashku, reformat e parashikuara në Programin Ekonomik pritet të rrisin nivelin potencial të PBB-së me afërsisht 1.65 për qind krahasuar me skenarin bazë. Për tre vitet e përfshira në dokument, kjo përkthehet në një rritje mesatare prej rreth 0.55 pikë përqindje në rritjen vjetore të PBB-së.
Sipas qeverisë, masat e integruara me kuadrin makrofiskal projektojnë një normë rritjeje ekonomike prej 3.9 për qind në vit për periudhën 2026–2028 në skenarin bazë. Dokumenti vlerëson se formalizimi, ulja e korrupsionit dhe evazionit, si dhe thjeshtimi i procedurave publike do të zgjerojnë bazën e taksimit pa pasur nevojë për ndryshime të normave tatimore, ndërsa përmirësimi i investimeve dhe rritja e produktivitetit pritet të kenë ndikime pozitive edhe në rritjen e pagave.