Importet e ushqimeve rriten me 23 për qind në pesë vite, importohet më lirë, shitet më shtrenjtë
Sasia e ushqimeve të importuara po rritet me ritme të qëndrueshme, ndërsa çmimi mesatar për kilogram po bie.
Rritja e fortë e importeve ushqimore
Vit pas viti vendi ynë është duke rritur varësinë nga ushqimet e importit si rrjedhojë e uljes së prodhimit vendas dhe nevojave më të larta për konsum nga turistët. Në vitin 2025 u importuan 1,347,550 tonë ushqime me rritje vjetore 4.3 për qind sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ndërsa vlera e importeve shënoi gjithashtu rritje me 3.9 për qind. Në vitin 2020, Shqipëria importonte rreth 1.09 milionë tonë ushqime dhe pije, ndërsa në vitin 2025 kjo sasi arriti në rreth 1.35 milionë tonë, një zgjerim prej mbi 250 mijë tonësh ose rreth 23% më shumë brenda pesë vitesh, duke treguar se konsumi i brendshëm po mbështetet gjithnjë e më shumë te tregjet e jashtme për të mbuluar nevojat bazë ushqimore.
Çmimi mesatar në rënie, fatura në rritje
Në të njëjtën kohë, vlera totale e importeve në lekë është rritur, por jo në të njëjtin ritëm me sasinë. Nga rreth 110.9 miliardë lekë në vitin 2020, importet arritën në mbi 162 miliardë lekë në vitin 2025. Ndonëse Shqipëria po shpenzon më shumë në terma absolutë për ushqime të importuara, çdo kilogram ushqim importi po kushton më pak vit pas viti. Çmimi mesatar për kilogram, i cili arriti kulmin në vitin 2022 në rreth 146 lekë për kg gjatë krizës globale të çmimeve pas luftës në Ukrainë, ka rënë gradualisht deri në rreth 120 lekë për kg në vitin 2025, një ulje prej afro 18% në vetëm tre vjet.
Ndikimi i kursit të këmbimit dhe tregjeve të jashtme
Kursi i këmbimit ka favorizuar dukshëm importuesit, teksa euro u këmbye mesatarisht me 97 lekë në vitin 2025, nga rreth 140 lekë që ishte në vitin 2015. Shqipëria sot po blen ushqime më lirë në tregjet ndërkombëtare sesa gjatë periudhës së pikut të krizës, por po blen shumë më tepër, duke amortizuar pjesërisht presionin mbi çmimet e brendshme. Një pjesë e rritjes së volumit të importeve po vjen nga vende si Turqia, Ballkani, Amerika Latine dhe tregje të tjera ku prodhimi bujqësor është më i lirë sesa në Bashkimin Europian.
Prodhimi vendas nën presion
Rritja e turizmit dhe e konsumit urban ka shtuar kërkesën për produkte të standardizuara dhe të paketimit industrial, të cilat zakonisht janë më të lira për njësi sesa prodhimet artizanale apo lokale. Ndërkohë prodhimi vendas nuk po rritet me të njëjtin ritëm me kërkesën, pasi kostot e larta të prodhimit bëjnë që shumë produkte shqiptare të jenë më të shtrenjta se ato të importuara, duke shtyrë tregtarët dhe përpunuesit të zgjedhin mallin e huaj që vjen më lirë dhe në sasi të mëdha.