Secondary Adv

Kërkesa e SPAK për imunitetin e Ballukut, shtyhet mbledhja e Këshillit të Mandateve

Mbledhja për kërkesën e SPAK u shty pas mungesës së një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, e planifikuar për t’u zhvilluar sot në mesditë lidhur me kërkesën e SPAK për imunitetin e zv.kryeministres Belinda Balluku, është shtyrë. Vendimi u bë i ditur përmes një njoftimi zyrtar të Këshillit dhe vjen pas zhvillimeve të një dite më parë, kur Gjykata Kushtetuese nuk arriti të dalë me një vendimmarrje lidhur me kërkesën e qeverisë kundër pezullimit të Ballukut nga posti i zv.kryeministres, vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

 

“Të nderuar anëtarë të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin! Ju njoftojmë me Urdhër të Kryetarit nr. 8, datë 27.01.2026, shtyrjen e mbledhjes që do të zhvillohej sot, datë 28.01.2026, ora 12:00”, thuhet në njoftimin që u është shpërndarë anëtarëve të këtij këshilli, pa caktuar një datë të re për zhvillimin e mbledhjes.

 

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese

Seanca e së martës në Gjykatën Kushtetuese, ku u shqyrtua ankimimi i qeverisë kundër vendimit të GJKKO për pezullimin e Ballukut, nuk prodhoi një vendim përfundimtar. Trupa gjykuese vendosi të marrë më shumë kohë për shqyrtimin e çështjes, duke shtyrë vendimmarrjen për një mbledhje të ardhshme.

 

Qëndrimet e palëve

Qeveria ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, i cili parashikon se anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, dhe të përcaktojë nëse Gjykata e Posaçme ka kompetencë të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri. Nga ana tjetër, prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kanë theksuar se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit dhe se nuk ekziston konflikt kompetencash mes pushteteve.

 

Hapat e mëtejshëm

Më 22 janar, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi zyrtarisht ankimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin për pezullimin e Ballukut. Vendimi përfundimtar i Gjykatës pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë si në vijimin e procedurave të SPAK, ashtu edhe në procesin parlamentar për shqyrtimin e kërkesës për imunitetin e zv.kryeministres.

 

Burimi: Euronews


Më të lexuarat