Secondary Adv

Trump paralajmëron Iranin: Bëni marrëveshje ose sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i keq

Presidenti amerikan thotë se aeroplanmbajtësja “Abraham Lincoln” po lëviz drejt Iranit dhe paralajmëron pasoja të rënda nëse Teherani nuk negocion.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin që të ulet në tryezën e negociatave, duke deklaruar se në të kundërtën do të përballet me një sulm shumë më të rëndë se goditjet ndaj centraleve bërthamore iraniane në qershor të vitit 2025.

 

Përmes një postimi në rrjetin Truth Social, Trump njoftoi se aeroplanmbajtësja e madhe amerikane “Abraham Lincoln” është në lëvizje drejt Iranit dhe është e gatshme për ndërhyrje ushtarake, nëse kjo do të jetë e nevojshme. Sipas tij, koha për Teheranin po mbaron dhe një marrëveshje duhet të arrihet sa më shpejt.

 

“Koha po mbaron”

“Një armatë masive po shkon drejt Iranit. Po lëviz shpejt, me fuqi, entuziazëm dhe qëllim të madh. Është një flotë më e madhe, e kryesuar nga aeroplanmbajtësja e madhe Abraham Lincoln, sesa ajo e dërguar në Venezuelë. Ashtu si me Venezuelën, ajo është e gatshme, e vullnetshme dhe e aftë të përmbushë me shpejtësi misionin e saj, me shpejtësi dhe dhunë, nëse është e nevojshme”, shkruan Trump.

 

Ai shton se shpreson që Irani të vijë “shpejt në tryezë” për të negociuar një marrëveshje “të drejtë dhe të barabartë”, duke përjashtuar kategorikisht zhvillimin e armëve bërthamore.

 

Paralajmërimi për një sulm më të rëndë

Trump kujtoi se Irani kishte refuzuar më herët një marrëveshje, çka sipas tij çoi në “Operacionin Çekiç i Mesnatës”, që solli shkatërrime të mëdha. “Sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i keq. Mos e bëni që kjo të ndodhë përsëri”, paralajmëroi presidenti amerikan.

 

Ndërkohë, një grup aeroplanmbajtësish amerikanë kanë mbërritur në Lindjen e Mesme, teksa tensionet janë rritur ndjeshëm pas shtypjes së protestave në Iran, që sipas organizatave për të drejtat e njeriut kanë shkaktuar mijëra viktima.

 

Kriza e brendshme në Iran

Në mes të trazirave, monedha iraniane riali ka rënë në nivelin më të ulët historik kundrejt dollarit, duke u këmbyer me rreth 1.5 milionë rialë për dollar më 27 janar. Protestat nisën më 28 dhjetor në tregjet e Teheranit, të nxitura nga kushtet e rënda ekonomike dhe zemërimi i tregtarëve, për t’u shndërruar më pas në protesta mbarëkombëtare kundër autoriteteve.

 

Sipas disa raporteve jozyrtare, numri i viktimave nga përplasjet dhe shtypja e protestave mund të ketë kaluar 30 mijë persona.

 

Burimi: Shqiptarja


Më të lexuarat