Secondary Adv

Kreditimi dhe blerjet e valutës nga BSH rrisin ofertën e Lekut në nivele historike

Oferta e parasë në Lekë po rritet me ritmet më të larta të dekadave të fundit, e nxitur nga kreditimi i fortë dhe ndërhyrjet valutore të Bankës së Shqipërisë.

Rritja e ofertës monetare në ekonomi ka arritur nivelet më të larta historike. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit nëntor 2025, rritja vjetore e agregatit monetar M2 ishte 14.5%, nga vetëm 5.8% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Agregati M2 ka shënuar rritje dyshifrore që prej muajit mars 2025 dhe ka arritur kulmin në shtator me 15.3%. Në muajt tetor dhe nëntor është vërejtur një ngadalësim i lehtë, por niveli mbetet shumë i lartë në 14.5%.

 

Çfarë tregon rritja e M2

Agregati monetar M2 përfshin paranë jashtë bankave dhe depozitat bankare në Lekë, duke reflektuar sasinë e parasë së gjerë në monedhën kombëtare. Një rritje e shpejtë e tij tregon se në ekonomi po injektohet një volum më i madh Lekësh.

 

Burimet kryesore të kësaj rritjeje lidhen me kreditimin e shpejtë të ekonomisë dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për të frenuar forcimin e Lekut.

 

Kreditimi me ritme të larta

Në nëntor 2025, portofoli i kredisë për ekonominë arriti në 925.2 miliardë lekë, me një rritje mujore prej rreth 19 miliardë lekësh. Në terma vjetorë, kredia u rrit me 12.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja është mbështetur kryesisht nga kreditimi i individëve, që shënoi një zgjerim vjetor prej rreth 19.8%. Kreditimi për bizneset u rrit me ritme më të moderuara, rreth 9% në bazë vjetore.

 

Normat e ulëta të interesit, performanca pozitive e ekonomisë reale dhe bilancet e shëndetshme të sektorit bankar kanë mbështetur këtë zgjerim të shpejtë të kredisë gjatë vitit 2025.

 

Blerjet rekord të valutës nga Banka e Shqipërisë

Një tjetër faktor i rëndësishëm që ka ndikuar në rritjen e ofertës së Lekut janë blerjet e valutës nga Banka e Shqipërisë. Gjatë vitit 2025, banka qendrore ka intensifikuar ndërhyrjet në tregun valutor për të frenuar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit euro–lek.

 

Sipas të dhënave zyrtare, për nëntë muajt e parë të vitit 2025 janë blerë gjithsej 825.6 milionë euro në tregun e brendshëm, niveli më i lartë historik për këtë periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet janë rritur me 52.2%.

 

Inflacioni mbetet i ulët

Pavarësisht injektimit të konsiderueshëm të parasë në ekonomi, inflacioni ka mbetur poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Sipas INSTAT, inflacioni e mbylli vitin 2025 në nivelin 2.3%, nga 2.1% që ishte një vit më parë.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat