Emigracioni, Shqipëria kryeson listën e vendeve që kanë më shumë shtetas në BE
Të dhënat e Eurostat tregojnë se Shqipëria ka peshën më të lartë të emigracionit në BE në raport me popullsinë.
Ndonëse është një nga vendet më të vogla të Europës, Shqipëria renditet ndër shtetet me praninë më të madhe të shtetasve në Bashkimin Europian, duke reflektuar përmasa shumë të mëdha emigracioni. Të dhënat e publikuara nga Eurostat tregojnë se shqiptarët janë të shpërndarë gjerësisht në vendet e BE-së dhe përbëjnë një nga kombësitë kryesore të shtetasve jo të BE-së rezidentë në Bashkimin Europian.
Sipas statistikave, në vitin 2024 shtetasit shqiptarë u renditën në vendin e 11 në listën e kombësive kryesore jo-BE që jetojnë në BE, në vlerë absolute. Numri i shqiptarëve rezidentë në vendet e Bashkimit Europian vlerësohet rreth 550 mijë, kryesisht në Itali. Në këtë përllogaritje nuk përfshihet Greqia, ku sipas burimeve të ndryshme jetojnë të paktën edhe 500 mijë shqiptarë, çka do ta çonte numrin total mbi 1 milion dhe do ta rendiste Shqipërinë në vendin e katërt për nga numri absolut, pas Ukrainës, Turqisë dhe Marokut.
Shqipëria kryeson në raport me popullsinë
Kur të dhënat normalizohen me popullsinë e mbetur në vendin e origjinës, Shqipëria kryeson dukshëm listën në Europë. Me rreth 550 mijë shtetas rezidentë në BE dhe një popullsi prej 2.36 milion banorësh, rezulton se ka rreth 230 shtetas për çdo 1,000 banorë që jetojnë në Bashkimin Europian, një nivel shumë më i lartë se çdo vend tjetër në grafikun e Eurostat.
Edhe pa përfshirë Greqinë, Shqipëria qëndron dukshëm mbi vendet e tjera të rajonit që gjithashtu shfaqin emigracion të lartë, si Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina apo Serbia. Nëse përfshihen edhe të dhënat e Greqisë, pesha e emigracionit rritet ndjeshëm, duke arritur rreth 466 emigrantë për çdo 1,000 banorë, që do të thotë se afërsisht një në dy shqiptarë jeton në një vend të Bashkimit Europian.
Krahasimi me vendet e tjera
Diferencat bëhen edhe më të qarta kur Shqipëria krahasohet me shtetet që kryesojnë listën në vlerë absolute, por që kanë popullsi shumë më të madhe. Për Ukrainën, Eurostat raporton rreth 2.6 milion shtetas rezidentë në BE, por krahasuar me një popullsi prej rreth 39 milion banorësh, kjo përkthehet në rreth 67 shtetas për çdo 1,000 banorë. Në rastin e Turqisë, me rreth 1.7 milion shtetas në BE dhe një popullsi rreth 85 milion banorë, pesha bie në rreth 20 për 1,000 banorë, ndërsa për Marokun, me rreth 1.5 milion shtetas në BE dhe një popullsi rreth 37 milion, niveli është rreth 41 për 1,000 banorë.
Krahasimi nxjerr në pah se, ndonëse Shqipëria nuk renditet në dhjetëshen e parë për numër absolut emigrantësh, ajo kryeson qartësisht listën kur shifrat lidhen me madhësinë e popullsisë, duke reflektuar një emigracion me përmasa jashtëzakonisht të mëdha për një vend të vogël.