Shtegu i Ali Pashës, projekti 40 mln euro i turizmit transformon Salarinë, Gusmarin e Progonatin
Investimi 40 milionë euro synon të përmirësojë aksesin, turizmin dhe jetën e komuniteteve në Labëri.
Zona e Labërisë, konkretisht fshatrat Salari, Gusmari dhe Progonati, janë përfshirë në një projekt të madh infrastrukture dhe turizmi që po zbatohet në disa rajone të vendit, me synimin për të lehtësuar aksesin dhe për të fuqizuar komunitetet lokale. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka ftuar kompanitë për t’u bërë pjesë e procedurës, duke sqaruar se projekti financohet me 40 milionë euro, të kombinuara nga grante të Bashkimit Europian dhe një hua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ndërsa afati për mbylljen e procedurës është 12 marsi.
Projekti parashikon përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe të transportit për të rritur aksesin në destinacionet turistike të Gusmarit, Salarisë dhe Progonatit, zona të njohura për trashëgiminë e tyre natyrore dhe historike. Nisma është pagëzuar “Shtegu i Ali Pashës” dhe synon zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në Labëri, duke lidhur trashëgiminë historike të Ali Pashë Tepelenës me turizmin kulturor dhe natyror.
Ndërhyrjet infrastrukturore në Gusmar
Nënkomponenti i parë i projektit përfshin rehabilitimin e qendrës së fshatit Gusmar dhe krijimin e një pike shërbimi për mobilitetin turistik, e cila do të shërbejë si ndalesë informacioni për turistët dhe si stacion transporti lokal. Ndërhyrja synon krijimin e një hapësire multifunksionale për komunitetin, me ndriçim të përmirësuar, zona pushimi, gjelbërim dhe akses më të lehtë në hapësirat publike, si dhe shërbime të posaçme që mbështesin turizmin me biçikleta.
Qendra e mobilitetit turistik në Salari
Nënkomponenti i dytë parashikon ndërtimin e një qendre mobiliteti turistik në Salari, duke transformuar një parkim informal në një hapësirë të organizuar dhe funksionale. Projekti përfshin shërbime për biçikleta, si riparimi, qiraja dhe karikimi i biçikletave elektrike, krijimin e një pike panoramike mbi kanionet, si dhe sistemimin e parkimit dhe gjelbërimin me bimësi vendase, me fokus të veçantë në qëndrueshmërinë mjedisore.
Rigjenerimi urban i Progonatit
Nënkomponenti i tretë synon rigjenerimin urban të qendrës së fshatit Progonat, duke krijuar për herë të parë një shesh qendror funksional për banorët dhe vizitorët. Ndërhyrjet përfshijnë shtrimin e rrugëve dhe shesheve me materiale tradicionale si guri natyror, integrimin e hapësirave për këmbësorët, si dhe elementë gjelbërimi dhe lëvizshmërie urbane, me synimin për ta kthyer zonën në një pikë referimi sociale dhe turistike.