Secondary Adv

Abuzimi me çmimet e çadrave dhe shezlongëve, bashkitë përcaktojnë tavanin

Qeveria i jep bashkive kompetencën për të caktuar çmimet maksimale në plazhe para sezonit turistik.

Pas alarmit të Kryeministrit Edi Rama për çmimet abuzive gjatë sezonit turistik, qeveria ka vendosur të ndërhyjë duke vendosur një tavan të detyrueshëm për çmimet e çadrave dhe shezlongëve në bregdet. Nga ky sezon, çmimet nuk do të përcaktohen më nga subjektet private, por nga bashkitë, të cilat do të vendosin kufijtë maksimalë për çdo stacion plazhi. Subjektet që tejkalojnë çmimin e miratuar në kontratë ose me vendim të këshillit bashkiak rrezikojnë gjoba dhe humbjen e menjëhershme të së drejtës për menaxhimin e plazheve.

 

Pas kritikave të përsëritura të Kryeministrit Rama për tarifat e larta që, sipas tij, kanë dëmtuar imazhin e turizmit në dy-tre vitet e fundit, qeveria ka vendosur një ndërhyrje më të fortë. Përmes një vendimi të ri, bashkive u jepet kompetenca që, përpara nisjes së sezonit turistik, të përcaktojnë çmimet maksimale për çdo stacion plazhi, duke i diferencuar ato sipas zonës dhe standardit të shërbimit.

 

Vendimmarrja e bashkive dhe kontratat

Me ndryshimet në rregullore, Këshilli Bashkiak do të miratojë përpara çdo sezoni turistik çmimet maksimale për çdo zonë bregdetare brenda territorit të tij. Këto çmime do të shërbejnë si kufi i pakalueshëm për subjektet private gjatë negociimit dhe zbatimit të tarifave. Në rastet kur një vendim i tillë mungon, do të zbatohen kontratat mes bashkive dhe subjekteve private, ku janë përcaktuar çmimet maksimale.

 

Sanksionet dhe plazhet publike

Subjektet që abuzojnë duke tejkaluar kufijtë e lejuar do të përballen jo vetëm me gjoba, por edhe me humbjen e menjëhershme të së drejtës për të menaxhuar plazhin. Paralelisht, bashkitë do të krijojnë zona publike me pagesë të kontrolluar, me synimin që bregdeti të mbetet i aksesueshëm dhe me kosto të përballueshme për pushuesit. Në plazhet publike të menaxhuara nga vetë bashkitë ndalohet kontraktimi ose delegimi i stacioneve të plazhit te subjektet private.

 

Zhurmat dhe menaxhimi i plazheve kryesore

Bashkitë do të duhet gjithashtu të publikojnë përpara sezonit turistik një plan të detajuar për nivelin e lejuar të zhurmave për çdo plazh, kufi që do të jetë i detyrueshëm për t’u zbatuar nga të gjitha subjektet private. Për dy nga plazhet më të frekuentuara të jugut, Ksamilin dhe Dhërmiun, ku çmimet kanë tejkaluar çdo normë, Kryeministri Rama ka paralajmëruar se menaxhimi do të kalojë drejtpërdrejt në duart e bashkive përkatëse.

Burimi: Shqiptarja.com


Më të lexuarat