Punimet për trenin Tiranë-Durrës-Rinas, rritet fondi për shpronësimet
Qeveria rrit fondin e shpronësimeve në 377.32 milionë lekë për të përshpejtuar projektin hekurudhor.
Qeveria ka vendosur të rrisë fondin e shpronësimit për pronarët e prekur nga projekti i ndërtimit të hekurudhës Tiranë–Durrës–Rinas, duke i hapur rrugë përfundimit të punimeve. Sipas vendimit të miratuar, vlera e përgjithshme e shpronësimeve arrin në rreth 377.32 milionë lekë, nga 280.44 milionë lekë që ishte përcaktuar më herët në vitin 2024. Pasuritë që preken nga ky proces janë kryesisht toka bujqësore të kategorisë “arë”, “truall” dhe “vreshtë”.
Shpronësimet lidhen kryesisht me gjurmën e re të linjës drejt aeroportit të Rinasit, ndërsa pjesa tjetër e projektit ndjek linjën ekzistuese hekurudhore. Procesi i shpronësimeve ka qenë shpesh një pengesë për avancimin e punimeve, ndërsa rritja e fondit synon të zgjidhë këto bllokime dhe të përshpejtojë realizimin e projektit.
Afatet e ndërtimit dhe elektrifikimit
Sipas afateve më të fundit të publikuara nga autoritetet, ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë–Durrës–Rinas pritet të përfundojë brenda këtij viti. Ndërkohë, elektrifikimi i linjës dhe mbërritja e trenave për nisjen e operimeve komerciale synohet të përmbyllen në tremujorin e parë të vitit 2027.
Ecuria e kontratave dhe punimeve
Aktualisht, për realizimin e kësaj vepre janë në zbatim dy kontrata, një për ndërtimin e linjës hekurudhore dhe një tjetër për stacionet. Për kontratën që përfshin punimet civile dhe sistemet e sinjalizimit dhe telekomunikacionit, Hekurudha Shqiptare bën të ditur se janë realizuar mbi 90 për qind e punimeve, ndërsa kanë mbetur për t’u finalizuar instalimet e brendshme të sistemeve, të cilat lidhen ngushtë me përparimin e punimeve në godinat e stacioneve.
Sa i përket ndërtimit të stacioneve, deri më tani janë përfunduar mbi 25 për qind e punimeve, ndërsa finalizimi i tyre pritet në maj të vitit 2026. Paralelisht, për elektrifikimin e linjës është duke u zhvilluar një procedurë tenderimi me dy faza, e drejtuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Rikthimi i stacionit të trenit në Tiranë
Rikthimi i stacionit të trenit në Tiranë parashikohet të kushtojë rreth 1.8 miliardë lekë, por procedura tenderuese për këtë segment ende nuk është zhvilluar. Ky segment hekurudhor ka një gjatësi prej 4 kilometrash dhe do të nisë nga terminali i transportit publik pranë kthesës së Kamzës, duke përfunduar në zonën ku ndodhej më parë stacioni i trenit në kryeqytet.