Secondary Adv

Pas problemeve me Self-Care, Tatimet kërkojnë dorëzimin e inventarëve deri më 31 janar

Bizneset duhet të ngarkojnë inventarin e 31.12.2025 në e-Filing brenda afatit, pavarësisht ankesave për bllokimin e Self-Care.

Administrata Tatimore u ka kërkuar bizneseve që të dorëzojnë inventarët analitikë deri në fund të këtij muaji. Sipas njoftimit zyrtar dërguar subjekteve, bazuar në Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, konkretisht neni 60 “Detyrimi i tatimpaguesve për të dhënë informacion administratës tatimore”, tatimpaguesit duhet të depozitojnë inventarin analitik të datës 31.12.2025.

 

Inventari duhet të përmbajë informacion të detajuar për lëndën e parë, produktet e gatshme dhe mallrat për rishitje, të specifikuara sipas njësive, sasive, çmimeve dhe vlerës. Ky informacion duhet të ngarkohet elektronikisht në sistemin e tatimeve e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”, brenda datës 31.01.2026, me emërtimin “Inventari 31.12.2025”.

 

Sipas Administratës Tatimore, bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë në konsideratë indikatorë si mosdorëzimi në afat, pasaktësitë apo mospërputhjet me të dhënat e fiskalizimit, tatimpaguesit mund të konsiderohen me risk dhe të bëhen objekt i verifikimit në vend për saktësinë e inventarit të deklaruar.

 

Ankesat e bizneseve pas bllokimit të Self-Care

Ndërkohë, disa biznese shprehin shqetësimin se afati i vendosur është tepër i shtrënguar, duke pasur parasysh problemet e vazhdueshme me platformën Self-Care, e cila për rreth tre javë, deri ditën e djeshme, ka qenë tërësisht jashtë funksioni. Sipas tyre, mungesa e aksesit në këtë platformë ka penguar rakordimin e faturave dhe krijon vështirësi në përgatitjen e inventarëve.

 

Të tjerë përfaqësues të bizneseve theksojnë se mosfunksionimi i Self-Care nuk e pengon drejtpërdrejt përgatitjen e inventarëve, pasi informacioni i nevojshëm mund të merret nga sistemi e-Filing i tatimeve.

 

Vështirësi edhe për pasqyrat financiare

Mosfunksionimi i Self-Care ka ndikuar gjithashtu në hartimin e pasqyrave financiare të vitit 2025. Kontabilisti Sotiraq Dhamo ka theksuar më herët se Self-Care është baza kryesore për rakordime dhe se edhe gjatë përgatitjes së planit financiar vjetor kërkohen verifikime të vazhdueshme përmes kësaj platforme, duke e bërë të domosdoshëm aksesin e plotë në sistem.

 

Edhe Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë ka kërkuar hartimin e një plani emergjence dhe shtyrjen e afateve për dorëzimin e bilanceve, afat i cili aktualisht është 31 marsi, por përgatitja e tyre nis që në muajin janar. Sipas shoqatës, rakordimi i shitjeve dhe konfirmimi i blerjeve mes të dhënave të raportuara nga softuerët dhe atyre të regjistruara në serverin tatimor është kthyer në një proces jashtëzakonisht të vështirë, duke rrezikuar parimin e vërtetësisë në pasqyrat financiare.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat