Takimi me fermerët, Rama: Më shumë fonde nga BE, 250 mln euro nga buxheti për bujqësinë
Qeveria synon që për Skemën Kombëtare 2026 bujqësia të mbështetet jo vetëm nga buxheti i shtetit, por edhe nga fondet e Bashkimit Europian dhe instrumente të tjera financiare.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla dhe ministri i Financave Petrit Malaj, zhvilloi një takim me fermerët në Divjakë, në kuadër të konsultimeve për Skemën Kombëtare 2026. Dialogu u fokusua në plotësimin e panoramës së kërkesave dhe nevojave të evidentuara nga qarqet e tjera, me synimin që skema e re të ndërtohet mbi një pasqyrë sa më reale të situatës në terren.
Gjatë takimit, Rama theksoi se buxheti i shtetit nuk duhet të jetë burimi i vetëm i financimit për fermerët, duke nënvizuar se ekzistojnë edhe komponentë të tjerë, përfshirë fondet e Bashkimit Europian dhe instrumente bankare, të cilat kërkojnë aftësi dhe përgatitje për t’u përthithur.
Mbështetja financiare dhe rishikimi i skemës
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, deklaroi se po rishikohet plani i mbështetjes duke marrë në konsideratë sugjerimet e fermerëve, me qëllim që përfitimi të jetë sa më i gjerë. Ai tha se po shqyrtohen ndryshime lidhur me kriteret për bagëtinë, mbështetjen për bletarinë, certifikatat e pronësisë dhe kontratat e tokave me qira, si dhe problematikat e hasura në skemën e naftës.
Salla theksoi se mbështetja do të jetë e sinkronizuar edhe me programet IPARD, duke parashikuar investime të mëtejshme në infrastrukturë, përfshirë ndërtimin e dhomave frigoriferike dhe mbështetje për sektorë si bimët medicinale dhe fusha të tjera të bujqësisë.
Rama: Fondet e BE-së do të rriten
Kryeministri Rama u ndal veçanërisht te mundësitë e pashfrytëzuara të financimit, duke theksuar se fondet nga Bashkimi Europian do të jenë gjithmonë e më të shumta, por suksesi në përthithjen e tyre varet nga përgatitja e projekteve dhe aftësia për të ndërtuar dosje të plota dhe të argumentuara.
Ai theksoi se problemi kryesor nuk është mungesa e parave, por mungesa e informacionit dhe e përgatitjes teknike për të përfituar nga këto fonde. Sipas Ramës, fermerët duhet të aftësohen për të paraqitur projekte të besueshme dhe të qëndrueshme, që të bindin institucionet financiare dhe partnerët ndërkombëtarë.
Roli i bashkive dhe bashkëpunimi mes fermerëve
Rama kërkoi që bashkitë të jenë më aktive në mbështetjen e fermerëve, duke i ndihmuar ata në përgatitjen e projekteve dhe aksesin në financime. Ai theksoi se pushteti vendor duhet të luajë një rol më të madh në koordinimin e bujqve dhe krijimin e strukturave apo ndërmarrjeve të përbashkëta për të përfituar nga garancitë financiare dhe kreditimi.
Nga Divjaka, kryeministri theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes fermerëve, duke argumentuar se prodhimi dhe tregtimi i koordinuar rrit mundësitë për sukses ekonomik. Sipas tij, qëndrimi individual mund të sigurojë vetëm mbijetesën, ndërsa bashkimi në interes dhe koordinimi në prodhim dhe shitje krijon mundësi reale për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm të bujqësisë.
Burimi: Shqiptarja
Më të lexuarat






