Secondary Adv

Ibrahimaj: Marrëveshje për punonjës të huaj për plotësimin e mungesave në treg

Mungesa e fuqisë punëtore dhe nevoja për kualifikim profesional mbeten ndër sfidat kryesore të tregut të punës, ndërsa qeveria parashikon marrëveshje me vende të treta për plotësimin e boshllëqeve.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës se mungesa e fuqisë punëtore dhe kërkesa për punonjës të kualifikuar janë ndër prioritetet kryesore për tregun e punës në vitin 2026.

 

Ajo theksoi se adresimi i kësaj problematike kërkon masa të koordinuara, që përfshijnë jo vetëm kualifikimin profesional të punonjësve vendas, por edhe marrëveshje me vende të treta për plotësimin e nevojave të tregut.

 

“Qeveria shqiptare ka një politikë dhe një strategji kombëtare për migracionin, e cila parashikon një sërë masash konkrete. Adresimi i mungesës së fuqisë punëtore, por edhe i fuqisë punëtore të kualifikuar, do të jetë pjesë e diskutimeve tona. Krahas masave për kualifikimin, po punojmë edhe për plotësimin e nevojave përmes marrëveshjeve që po nënshkruajmë me vendet e treta”, u shpreh Ibrahimaj.

 

Rishikimi i Kodit të Punës dhe paga minimale

Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e rishikimit të Kodit të Punës dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Europian. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe rolit të pagës minimale në përmirësimin e mirëqenies së punonjësve.

 

Ministrja bëri të ditur se qeveria synon rritje graduale të pagës minimale gjatë katërvjeçarit të ardhshëm, me objektivin që ajo të afrohet me standardin europian, minimalisht në nivelin 60% të pagës mesatare.

 

Statusi i minatorëve

Në fokus të mbledhjes ishte edhe çështja e statusit të minatorit. Ibrahimaj tha se synohet një zgjidhje e qëndrueshme në bashkëpunim me palët sociale, duke adresuar problematikat e përfitimeve për këtë kategori.

 

“Çështja e statusit të minatorëve dhe problematikat e lidhura me përfitimin 1% apo 0.6% për 1,136 minatorë ka qenë objekt diskutimi edhe në mbledhjet e mëparshme. Besoj se sot do të kemi një diskutim shterrues për këtë temë”, u shpreh ministrja.

 

Reforma në punësim dhe dialogu social

Në kuadër të reformave në tregun e punës, u prezantua krijimi i Komitetit Ndërministror për Çështjet e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë, si dhe ndryshimet në ligjin për nxitjen e punësimit. Këto ndryshime synojnë modernizimin e shërbimeve, digjitalizimin e proceseve, forcimin e Garancisë Rinore dhe krijimin e Observatorit të Tregut të Punës.

 

Në përfundim, ministrja Ibrahimaj vlerësoi dialogun social si një komponent kyç të mirëqeverisjes dhe theksoi se konstituimi i ri i Këshillit Kombëtar të Punës dhe mbledhja e parë që në muajin janar janë hapa konkretë për forcimin e këtij dialogu.

 

Burimi: Ekofin


Më të lexuarat