Secondary Adv

Tregu i sigurimeve u rrit me 10.5 për qind në vitin 2025, mbi 27 mld lekë të ardhura mga primet

Tregu i sigurimeve e mbylli vitin 2025 me performancë pozitive, duke shënuar rritje si në primet e sigurimit ashtu edhe në numrin e kontratave të lidhura.

Sipas të dhënave zyrtare të AMF, të ardhurat nga primet e shkruara bruto për vitin 2025 arritën në mbi 27 miliardë lekë, me një rritje prej 10.54% krahasuar me vitin 2024. Paralelisht, numri i kontratave të sigurimit të lidhura gjatë vitit arriti në 1,676,640, ose 5.07% më shumë se një vit më parë, duke reflektuar zgjerim të bazës së të siguruarve.

 

Struktura e tregut mbetet dukshëm e orientuar drejt sigurimeve të Jo-Jetës, të cilat përbëjnë 90.99% të vëllimit total të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës zënë vetëm 8.99%. Risigurimi vijon të ketë një peshë minimale, me vetëm 0.025% të tregut. Nga këndvështrimi i ndarjes midis sigurimeve të detyrueshme dhe atyre vullnetare, tregu dominohet nga sigurimi i detyrueshëm me 62.38% të primeve, ndërsa sigurimet vullnetare përbëjnë 37.62%.

 

Në anën e shpenzimeve, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve për vitin 2025 arritën në rreth 8,591 milionë lekë, duke shënuar një ulje të lehtë prej 0.75% krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, struktura e dëmeve mbetet fort e përqendruar tek sigurimi motorik, i cili përbën mbi tre të katërtat e totalit të pagesave.

 

Vetëm dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik kapën vlerën 6,537 milionë lekë gjatë vitit 2025, me një rritje prej 4.78% në raport me vitin e mëparshëm. Kjo konfirmon presionin e vazhdueshëm që ky segment ushtron mbi rentabilitetin e tregut, pavarësisht rritjes së primeve.

 

Sigurimi i detyrueshëm motorik mbetet shtylla kryesore e tregut. Gjatë vitit 2025, primet nga ky segment arritën rreth 16,900 milionë lekë, ose 12.22% më shumë se në vitin 2024. Brenda tij, produkti MTPL e brendshme shënoi një rritje prej 13.32% të vëllimit të primeve, e shoqëruar me rritje të numrit të kontratave me 6.85%. Në të kundërt, Kartoni Jeshil regjistroi rritje të primeve me 8.19%, por me rënie të numrit të kontratave me 3.99%, ndërsa sigurimi kufitar shënoi rënie si në prime ashtu edhe në kontrata.

 

Sigurimet vullnetare vijuan zgjerimin edhe gjatë vitit 2025, me të ardhura prej rreth 10,191 milionë lekë, ose 7.88% më shumë se një vit më parë. Numri i kontratave në këtë segment u rrit me 10%, duke reflektuar interes më të lartë për mbulime jashtë detyrimit ligjor. Brenda sigurimeve vullnetare të Jo-Jetës, rritja e primeve ishte 5.20%.

 

Në portofolat e pronës, përgjegjësive dhe garancive, të cilat siguruan mbi 4,179 milionë lekë të ardhura, dominon sigurimi nga Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë, me 67.63% të totalit, i ndjekur nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 22.63%. Vetëm portofoli i zjarrit dhe forcave të natyrës shënoi rritje 10.25% të primeve dhe 8.85% të kontratave, duke reflektuar ndërgjegjësim më të lartë për rreziqet mbi pronën.

 

Sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit arritën të ardhura prej rreth 1,444 milionë lekë, me rritje 3.71%, ndërsa sigurimet e Jetës shënuan një performancë më dinamike, me prime prej 2,435 milionë lekë, ose 17.62% më shumë se në vitin 2024, edhe pse mbeten ende një segment relativisht i vogël i tregut.

 

Të dhënat mbi dëmin mesatar të paguar në sigurimin motorik tregojnë luhatje të qarta mes produkteve. Dëmi mesatar në MTPL e brendshme u rrit nga 156 mijë lekë në 166 mijë lekë, ndërsa në Kartonin Jeshil u ul ndjeshëm me mbi 30%. Në sigurimin Kasko, dëmi mesatar shënoi rritje të lehtë.

 

Në tërësi, viti 2025 konfirmon një treg sigurimesh në zgjerim të qëndrueshëm nga ana e të ardhurave, por ende të ekspozuar ndaj rreziqeve strukturore, veçanërisht në sigurimin motorik. Balancimi mes rritjes së primeve, kontrollit të dëmeve dhe zhvillimit të produkteve vullnetare mbetet sfida kryesore për qëndrueshmërinë afatmesme të sektorit.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat