FMN: Shqipëria e 85 në botë për të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse, nga fundi i Europës
Të dhënat e FMN-së tregojnë se Shqipëria mbetet ndër vendet me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë, pavarësisht rritjes vitet e fundit.
Shqipëria renditet e 83-ta në botë për të ardhurat për frymë të llogaritura në dollarë dhe e 85-ta për të ardhurat për frymë sipas standardit të fuqisë blerëse, për vitin 2025. Të dhënat janë publikuar në databazën e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe për të dy treguesit vendi pozicionohet ndër të fundit në Europë.
Të ardhurat për frymë në dollarë
Sipas FMN-së, të ardhurat për frymë në Shqipëri, të matura në raport me madhësinë e ekonomisë, kanë arritur në rreth 11 mijë dollarë në vitin 2025. Me këtë nivel, Shqipëria ka kaluar Maqedoninë e Veriut me 10,377 dollarë dhe Bosnjë-Hercegovinën me 9,467 dollarë për frymë, ndërsa disa vite më parë renditej pas këtyre vendeve.
Shteti më i varfër në Europë vijon të mbetet Kosova, me rreth 8,033 dollarë për frymë. Shqipëria është favorizuar vitet e fundit edhe nga nënçmimi i euros dhe dollarit, çka ka ndikuar në rritjen automatike të këtij treguesi në terma nominalë.
Në rajon, Serbia kryeson me rreth15.3 mijë dollarë për frymë, duke kaluar Malin e Zi me 14.9 mijë dollarë, i cili për shumë vite kishte mbajtur vendin e parë.
Të ardhurat për frymë të Shqipërisë përfaqësojnë rreth 28% të mesatares europiane dhe vetëm 23.7% të mesatares së Bashkimit Europian, që sipas FMN-së arrin në 46,804 dollarë. Shqipëria mbetet edhe nën mesataren globale prej 14.6 mijë dollarësh për frymë, duke arritur vetëm 76% të saj.
Të ardhurat për frymë sipas fuqisë blerëse
Në treguesin e dytë, atë të të ardhurave për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse, Shqipëria renditet e 85-ta në botë me një nivel prej rreth 23.3 mijë dollarësh ndërkombëtarë. Ky pozicionim e lë vendin pas Maqedonisë së Veriut, e cila renditet e 77-a, duke treguar se fuqia reale blerëse e të ardhurave në Shqipëri është më e ulët, për shkak të kostos më të lartë të jetesës.
Në rajon, Bosnjë-Hercegovina renditet e 89-a dhe Kosova e 98-a për këtë tregues, duke mbetur ndër vendet me standardin më të ulët të jetesës në Europë.
Treguesi i prodhimit të brendshëm bruto për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse merr parasysh jo vetëm nivelin e prodhimit ekonomik për banor, por edhe diferencat e çmimeve mes vendeve. Ndryshe nga të ardhurat për frymë të llogaritura me kurs këmbimi, ky tregues korrigjon për koston e jetesës dhe tregon sa mund të blejë realisht një qytetar mesatar me të ardhurat e tij në vendin ku jeton.