Secondary Adv

Përshtatja me klimën, Shqipëria përgatitjen më të dobët në rajon

Shqipëria vlerësohet me përgatitje nën nivelin bazë në përshtatjen e arsimit dhe tregut të punës me tranzicionin e gjelbër, duke mbetur dukshëm pas vendeve të rajonit.

Shqipëria ka një nga përgatitjet më të dobëta në rajon për përshtatjen e sistemit arsimor dhe tregut të punës me ekonominë e gjelbër dhe tranzicionin klimatik. Ky është vlerësimi i Fondacionit Europian për Trajnimet, institucioni që mbështet zhvillimin e kapitalit njerëzor në vendet jashtë Bashkimit Europian.

 

Sipas raportit “Fuqizimi i Tranzicionit të Drejtë në Fqinjët e BE-së dhe Azinë Qendrore”, i cili analizon situatën në 25 vende, përfshirë Ballkanin Perëndimor, Shqipëria nuk ndodhet as në fazat fillestare të përgatitjes për tranzicionin e gjelbër dhe rrezikon t’i lërë punëtorët dhe komunitetet të papërgatitura për ndryshimet që po sjell ekonomia me karbon të ulët.

 

Njohje formale, pa zbatim praktik

Shqipëria rezulton pozitivisht vetëm në dy aspekte: njohjen e përgjithshme të ndikimeve sociale dhe të punësimit nga ndryshimet klimatike dhe përmendjen në parim të nevojave të reja të fuqisë punëtore që lindin nga tranzicioni i gjelbër. Dokumentet strategjike shqiptare pranojnë se tranzicioni klimatik ka pasoja sociale dhe kërkon përshtatje të tregut të punës, por kjo mbetet kryesisht në nivel deklarativ.

 

Sipas raportit, mungon planifikimi konkret dhe zbatimi praktik i këtyre angazhimeve, duke e lënë tranzicionin e gjelbër jashtë politikave reale të punësimit dhe arsimit.

 

Mungesë e plotë e politikave për aftësitë dhe rikualifikimin

Në shumicën e kritereve të tjera, Shqipëria vlerësohet negativisht. Analiza tregon se vendi nuk i referohet nevojës për rikualifikim apo përmirësim të aftësive të punëtorëve në sektorët që preken nga tranzicioni i gjelbër, nuk e sheh arsimin dhe zhvillimin e aftësive si instrument për parashikimin e nevojave të tregut të punës dhe nuk identifikon grupe specifike që kanë nevojë për mbështetje të synuar.

 

Sipas raportit, mungon vëmendja ndaj kategorive si të rinjtë, gratë, migrantët apo personat me aftësi të kufizuara, të cilët janë më të ekspozuar ndaj pasojave sociale të tranzicionit klimatik.

 

Tranzicioni i gjelbër trajtohet vetëm si çështje mjedisore

Fondacioni Europian për Trajnimet vëren se tranzicioni i gjelbër në dokumentet shqiptare konceptohet kryesisht si një proces teknik dhe mjedisor, dhe jo si një transformim i gjerë socio-ekonomik që kërkon politika të reja për punësimin, arsimin dhe mbrojtjen sociale.

 

Shqipëria nuk parashikon buxhete konkrete apo angazhime financiare për investime në aftësi dhe trajnime të lidhura me ekonominë e gjelbër, as nuk përcakton role të qarta institucionale për ministritë apo agjencitë përgjegjëse. Sipas raportit, mungon një arkitekturë politike dhe institucionale që ta lidhë tranzicionin klimatik me zhvillimin e kapitalit njerëzor.

 

Pas rajonit në aspektin social të tranzicionit të gjelbër

Në krahasim me vende si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Serbia, të cilat shfaqin më shumë elemente pozitive ose pjesërisht të integruara në politikat e tyre, Shqipëria renditet ndër vendet më pak të përgatitura në rajon për përballimin e dimensionit social të tranzicionit të gjelbër.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat