Bujqësia në tkurrje për të pestin vit radhazi, mungesa e mbështetjes mbetet shkaku kryesor
Sektori bujqësor vijon rënien për të pestin vit radhazi, teksa fermerët përballen me subvencione të pamjaftueshme dhe braktisje të tokave.
Mbështetje e pamjaftueshme dhe zhgënjim i fermerëve
Mungesa e mbështetjes reale nga shteti mbetet shkaku kryesor pse bujqësia në Shqipëri po përjeton kriza të njëpasnjëshme dhe një braktisje të vazhdueshme nga fermerët. Edhe pse në fjalimet e drejtuesve të qeverisë sektori përmendet si prioritet kombëtar, në terren realiteti është ndryshe, pasi subvencionet janë të pamjaftueshme dhe një pjesë e madhe e fermerëve të vegjël nuk arrijnë të përfitojnë as naftë falas dhe as mbështetje financiare direkte në llogaritë e tyre.
Rënie prodhimi për të pestin vit radhazi
Për të pestin vit radhazi, bujqësia ka shënuar rënie të prodhimit, duke treguar se procedurat burokratike, mungesa e informacionit dhe konkurrenca e pandershme po minojnë çdo përpjekje për rregullimin e tregut. Fermerët raportojnë vështirësi në aplikim për skemat mbështetëse, ndërkohë që kostot e prodhimit vijojnë të rriten dhe tregjet mbeten të paqëndrueshme.
Eksportet dhe standardet europiane
Edhe objektivi për të arritur 1 miliard euro eksporte bujqësore në vitin 2030, nga rreth 500 milionë euro që janë aktualisht, shihet si tepër ambicioz. Kjo, pasi shumë vende të Bashkimit Europian nuk pranojnë produktet shqiptare për shkak të mungesës së standardeve, të cilat lidhen drejtpërdrejt me kapacitetet e pamjaftueshme të përpunimit dhe certifikimit.
Buxheti dhe pritshmëritë për vitin aktual
Ministria e Bujqësisë disponon një buxhet prej rreth 135 milionë eurosh për menaxhimin e sektorit. Me rritje progresive vjetore dhe përmes skemave të granteve dhe subvencioneve, vlera totale e dedikuar për fermerët dhe blegtorët arrin rreth 250 milionë euro këtë vit. Megjithatë, pritshmëritë për rezultate konkrete mbeten të ulëta, ndërsa përmbysja e realitetit të braktisjes së tokave dhe pakënaqësisë së fermerëve duket gjithnjë e më e vështirë.