Secondary Adv

OKB: Rritja ekonomike e Shqipërisë e kushtëzuar nga sfidat strukturore dhe demografike

OKB parashikon rritje të qëndrueshme në 2026–2027, por paralajmëron rreziqe nga demografia, struktura e ekonomisë dhe pasiguritë e jashtme.

Turizmi dhe ndërtimi, motorët kryesorë të rritjes

Ekonomia shqiptare pritet të ruajë një ritëm të qëndrueshëm rritjeje gjatë viteve 2026 dhe 2027, e mbështetur kryesisht nga turizmi dhe sektori i ndërtimit, por perspektiva afatmesme mbetet e kushtëzuar nga sfida strukturore, zhvillimet demografike dhe pasiguritë e jashtme. Kështu vlerëson raporti “World Economic Situation and Prospects 2026”, i publikuar nga Departamenti për Çështjet Ekonomike dhe Sociale i Kombeve të Bashkuara. Sipas raportit, Shqipëria bën pjesë në grupin e ekonomive të Europës Juglindore që kanë përfituar ndjeshëm nga sezoni turistik shumë i fortë i vitit 2025, me flukse vizitorësh që arritën nivele rekord gjatë muajve të verës.

 

Rritje mbi mesataren e rajonit, por me ritëm më të moderuar

Turizmi ka qenë një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike, duke nxitur aktivitetin në shërbime, transport dhe tregti, ndërsa paralelisht sektori i ndërtimit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zgjerimin e aktivitetit ekonomik. Parashikimet e OKB tregojnë se rritja reale e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë pritet të mbetet mbi mesataren e rajonit edhe në vitin 2026, ndonëse me një ritëm më të moderuar krahasuar me fazën e rimëkëmbjes pas pandemisë.

 

Inflacion i stabilizuar dhe treg pune me përmirësim gradual

Në të njëjtën kohë, inflacioni në Shqipëri vlerësohet të jetë relativisht i stabilizuar, në nivele rreth 2.5 për qind gjatë viteve 2026 dhe 2027, duke reflektuar lehtësimin e presioneve të çmimeve pas krizës energjetike dhe goditjeve globale të ofertës. Raporti thekson se tregu i punës në Europën Juglindore ka shfaqur përmirësim gradual, me rritje të punësimit dhe paga reale më rezistente ndaj inflacionit, por Shqipëria përballet ende me pjesëmarrje relativisht të ulët në forcën e punës, veçanërisht te gratë.

 

Emigracioni dhe klima, rreziqe për perspektivën afatmesme

Sipas OKB-së, sfidat demografike, emigracioni dhe tkurrja e popullsisë në moshë pune mbeten pengesa serioze për zhvillimin afatgjatë. Në planin e rreziqeve, raporti paralajmëron se perspektiva ekonomike e Shqipërisë është e ekspozuar ndaj ngadalësimit ekonomik në Bashkimin Europian, partneri kryesor tregtar i vendit, si dhe ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike. Rritja e frekuencës së thatësirave përbën një risk konkret për prodhimin e energjisë hidrike, një sektor kyç për ekonominë shqiptare.

 

Reformat strukturore, kyçe për zhvillimin afatgjatë

Në vlerësimin përfundimtar, raporti nënvizon se ndonëse Shqipëria ka përfituar nga cikli i fortë i turizmit dhe investimeve në ndërtim, zhvillimi afatgjatë do të varet nga përmirësimi i klimës së biznesit, rritja e produktivitetit dhe adresimi i sfidave demografike. Pa reforma strukturore më të thella, rritja ekonomike rrezikon të mbetet e përqendruar në sektorë ciklikë dhe të ndjeshëm ndaj goditjeve të jashtme.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat