BEI: Rreth 830 mln euro financime për Shqipërinë, fokusi tek hekurudhat
Banka Evropiane e Investimeve ka financuar Shqipërinë me rreth 830 milionë euro deri në fund të vitit të kaluar, ku pjesa më e madhe e fondeve është orientuar drejt sektorit të transportit dhe veçanërisht hekurudhave.
Transporti, sektori kryesor për financimet
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Evropiane e Investimeve, rreth 60 për qind e financimeve totale për Shqipërinë, ose 474.5 milionë euro, janë përqendruar në sektorin e transportit. Ky sektor përfaqëson prioritetin kryesor të mbështetjes financiare, duke reflektuar rëndësinë strategjike të infrastrukturës për zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal të vendit.
Hekurudhat, projektet më të mëdha
Dy nga financimet më të rëndësishme të BEI-së lidhen me rehabilitimin e rrjetit hekurudhor. Në prill të vitit të kaluar u nënshkrua marrëveshja për financimin e linjës hekurudhore Durrës–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII, me një vlerë totale prej 90 milionë euro. Nga kjo shumë, 60.5 milionë euro janë grant, ndërsa 30 milionë euro kredi e butë.
Po ashtu, në mars të vitit 2024, Banka Evropiane e Investimeve i akordoi Shqipërisë një kredi prej 100 milionë euro për rehabilitimin e hekurudhës Vorë–Hani i Hotit, një projekt kyç për lidhjen hekurudhore me vendet e rajonit.
Energjia dhe ujësjellës-kanalizimet
Sektori i dytë më i financuar nga BEI është energjia, me një fond total prej 188.9 milionë euro. Në këtë sektor spikat kredia prej 105 milionë eurosh për gazsjellësin trans-adriatik. Ndërkohë, ujësjellës-kanalizimet kanë përfituar financime në vlerën e 110.1 milionë eurove.
Sektorë të tjerë të mbështetur
Përveç transportit dhe energjisë, financime janë akorduar edhe për linjat e kreditimit me 30 milionë euro, arsimin me 12.5 milionë euro, zhvillimin urban me 7.3 milionë euro dhe sektorin e shërbimeve me 4.5 milionë euro.
Roli i BEI-së në Shqipëri
Banka Evropiane e Investimeve, në pronësi të 27 qeverive të Bashkimit Evropian, është një nga investitorët dhe kreditorët më të mëdhenj globalë. Ajo siguron fonde nga tregjet e kapitalit dhe i jep hua me kushte të favorshme për projekte që përmbushin kriteret e saj. BEI ka nisur financimet për Shqipërinë që në vitin 1995, ndërsa gjatë vitit të kaluar ka hapur edhe zyrën e saj të përfaqësisë në Tiranë.