Shpallet fituesi për poligonin dhe palestrën 2.1 mln euro për forcat speciale
Operatori i Blerjeve të Përqendruara ka shpallur fituesin për ndërtimin e një kompleksi poligoni qitjeje dhe palestre për forcat operacionale dhe ato speciale në Sistemin e Burgjeve, me vlerë 2.1 milionë euro.
Operatori i Blerjeve të Përqendruara shpalli së fundmi fituesin e kontratës me objekt “Ndërtimi i një kompleksi poligoni qitjeje dhe palestër për forcat operacionale dhe ato speciale në Sistemin e Burgjeve”, me një fond limit prej 296 milionë lekë, ose rreth 3 milionë euro.
Oferta fituese rezultoi në nivelin 71 për qind të fondit limit, ose rreth 210 milionë lekë, ekuivalente me 2.1 milionë euro. Sipas dokumentacionit shoqërues të procedurës, projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi të plotë trajnimi me disa ambiente funksionale.
Vendndodhja dhe funksioni i kompleksit
Kompleksi i Poligonit dhe Palestrës do të ndërtohet në territorin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, në rrugën Zef Serembe, ish BRMR, në Tiranë.
Brenda kësaj sipërfaqeje do të realizohet ndërtimi i poligonit të qitjes, palestër sportive dhe terrene të jashtme sportive për trajnimin e forcave operacionale dhe speciale në sistemin e burgjeve. Krahas ambienteve të trajnimit, projekti parashikon edhe ambiente ndihmëse si kuzhinë, dhoma fjetjeje, ambiente shërbimi, klasa mësimi dhe terrene sportive.
Sipas raportit teknik të projektit, kompleksi do të ketë kapacitete trajnimi për rreth 100 persona.
Poligoni dhe palestra
Sipas të dhënave në projektin e zbatimit, kompleksi do të përfshijë një poligon qitjeje të pajisur me teknologji të avancuar për stërvitje dhe trajnime të sigurisë, si dhe një palestër multifunksionale për aktivitete sportive dhe fitnes.
Poligoni është projektuar për stërvitjen e profesionistëve të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes, duke përfshirë zona të ndryshme stërvitjeje, simulime dhe hapësira të posaçme për trajnim praktik. Ai do të pajiset me sisteme moderne për matjen e performancës dhe për garantimin e një ambienti të sigurt dhe profesional.
Palestra do të ofrojë hapësira të dedikuara për stërvitje fizike, duke përfshirë zona për kondicionim, pajisje për peshëngritje, zona për stërvitje funksionale si dhe ambiente për aktivitete aerobike.
Hapësirat e jashtme dhe struktura e ndërtesave
Oborri i kompleksit do të konceptohet si një hapësirë e hapur për pushim dhe aktivitete të ndryshme jashtë ambienteve të brendshme. Ai do të përfshijë zona të gjelbra me pemë dhe bimësi lokale, shtigje ecjeje dhe hapësira për aktivitete sportive në natyrë.
Ndërtesat e kompleksit do të kenë lartësi 2 deri në 3 kate, si dhe një kat nëntokë të dedikuar për hapësirat e poligonit të qitjes.