Secondary Adv

Nga baret te spitalet dhe shkollat, shteti shton kontrollet sanitare: Kush inspektohet më shpesh

Plani i ri i inspektimeve sanitare parashikon kontrolle nga një deri në tre herë në vit për aktivitete të ndryshme, në varësi të nivelit të riskut që ato paraqesin për shëndetin publik.

Nga baret dhe palestrat, te spitalet, shkollat dhe ujësjellësit, një numër i madh aktivitetesh do të jenë nën kontroll të rregullt sanitar gjatë këtij viti. Inspektimet do të kryhen nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor, sipas një plani publik që vendos një regjim më të ashpër për sektorët kritikë për shëndetin publik.

 

Plani u jep përparësi spitaleve, institucioneve arsimore dhe furnizimit me ujë, ndërsa zgjeron monitorimin edhe mbi shërbime të përditshme si baret, qendrat mjekësore private, subjektet turistike dhe hapësirat kulturore e sportive.

 

Subjekte me risk të moderuar, një inspektim në vit

Në kategorinë e riskut të moderuar përfshihen një gamë e gjerë aktivitetesh shëndetësore, shërbimi dhe rekreative, të cilat do t’i nënshtrohen inspektimit sanitar një herë në vit. Këtu bëjnë pjesë kabinetet mjekësore jopublike, qendrat mjekësore jopublike, shërbimet laboratorike mjekësore publike dhe private, si edhe kabinetet dhe laboratorët dentarë.

 

Në këtë kategori hyjnë edhe subjektet e akomodimit me fjetje, nga hotelet dhe resortet te bujtinat, fshatrat turistike dhe kampingjet, si dhe pishinat. Një herë në vit do të kontrollohen gjithashtu subjektet social-kulturore dhe sportive, përfshirë muzetë, teatrot, kinematë, bibliotekat, palestrat, sallat e kërcimit, parqet kombëtare dhe kampingjet ditore.

 

Lista përfshin edhe institucione me ndjeshmëri të veçantë, si burgjet, paraburgimet dhe komisariatet e policisë, si dhe subjektet që janë inspektuar për sigurinë në punë. Një inspektim vjetor parashikohet edhe për shërbimet ndërhyrëse higjieno-sanitare, subjektet importuese të DDD-së dhe të produkteve zëvendësuese të qumështit të gjirit, si dhe për baret në të gjitha format e tyre, nga bar-kafe dhe pub-et, te diskotekat dhe sallat e lojërave.

 

Subjekte me risk të lartë, dy inspektime në vit

Në nivelin e riskut të lartë, frekuenca e kontrolleve dyfishohet. Spitalet publike dhe jopublike, poliklinikat publike, qendrat shëndetësore dhe pikat ambulatore publike do të inspektohen dy herë në vit.

 

E njëjta skemë zbatohet edhe për institucionet arsimore, duke nisur nga çerdhet dhe kopshtet, te shkollat fillore, 9-vjeçare, të mesme, universitetet dhe konviktet universitare.

 

Një trajtim i veçantë parashikohet për subjektet me veprimtari jonizuese, ku përdoren lëndë radioaktive ose pajisje rrezatuese. Këto aktivitete do të jenë nën inspektim përgjatë gjithë vitit, pa një kufi të përcaktuar kontrollesh, për shkak të rrezikut të shtuar që paraqesin për shëndetin dhe mjedisin.

 

Risk shumë i lartë, tre inspektime në vit për ujin

Kategoria më kritike mbetet ajo e furnizimit me ujë. Burimet e ujit, depot, stacionet e pompimit, ujësjellësit dhe puset do të inspektohen tre herë në vit.

 

Ky fokus i shtuar reflekton rëndësinë strategjike të ujit të pijshëm dhe ndikimin e drejtpërdrejtë që cilësia e tij ka në shëndetin publik.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat