54.5 për qind e shqiptarëve në pasiguri financiare, niveli më i lartë në rajon
Më shumë se gjysma e familjeve shqiptare nuk përballojnë dot një emergjencë prej 1000 eurosh, duke treguar nivel të lartë pasigurie financiare në vend.
Sipas të dhënave të anketës Security Meter 2025 të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Shqipëria shënon përqindjen më të lartë të familjeve që nuk mund të përballojnë një shpenzim të papritur. Në vitin 2025, 54.5 për qind e të anketuarve deklaruan se nuk do të ishin në gjendje të mbulonin një emergjencë financiare prej 1000 eurosh, një rritje e lehtë nga 53.3 për qind që ishte ky tregues në vitin 2024.
Shqipëria dhe rajoni
Situata e Shqipërisë rezulton më problematike krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Maqedonia e Veriut renditet e dyta për nivelin e pasigurisë, me 48.1 për qind të popullsisë që nuk arrin të menaxhojë një shpenzim të tillë emergjent në vitin 2025.
Në të kundërt, Kosova paraqet një përmirësim të dukshëm. Në vitin 2025, 50.1 për qind e të anketuarve në Kosovë thanë se do të ishin në gjendje të përballonin një shpenzim të papritur prej 1000 eurosh, nga vetëm 38.2 për qind në vitin 2024.
Bosnja dhe Mali i Zi gjithashtu shfaqin përmirësime, me rreth një të tretën e popullsisë që deklaron se mund ta menaxhojë një emergjencë financiare në vitin 2025.
Serbia, rënie e fortë e përballueshmërisë
Serbia paraqet një nga përkeqësimet më të ndjeshme. Vetëm 25.2 për qind e të anketuarve në vitin 2025 thanë se mund ta përballonin një shpenzim prej 1000 eurosh, nga 35.0 për qind një vit më parë. Njëkohësisht, 38.7 për qind e të anketuarve zgjodhën përgjigjen “vështirë të thuhet”, duke reflektuar pasiguri të lartë mbi situatën financiare familjare.
Pasiguria financiare në Ballkanin Perëndimor
Në nivel rajonal, të dhënat e vitit 2025 tregojnë se vetëm 33.1 për qind e të anketuarve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor ndihen të sigurt se familja e tyre mund të përballojë një shpenzim të papritur prej 1000 eurosh pa hua apo ndihmë. Ky tregues ka rënë nga 36.7 për qind në vitin 2024, duke sinjalizuar një përkeqësim të perceptimit për qëndrueshmërinë financiare.
Rezultatet sugjerojnë se presionet ekonomike mbeten të larta në rajon dhe se brishtësia financiare e familjeve po thellohet në disa vende, duke rritur rrezikun për ulje të mirëqenies dhe nxitje të emigrimit.