Izraelitët do ndërtojnë qendrën e parë të të dhënave në Shqipëri, 100 mln euro investim
Shqipëria do të ketë qendrën e parë të madhe të të dhënave, me investim 100 milionë euro nga ADC për teknologji dhe inteligjencë artificiale.
Shqipëria pritet të hyjë në hartën rajonale të infrastrukturës së avancuar digjitale me ndërtimin e qendrës së saj të parë të madhe të të dhënave, një investim prej rreth 100 milionë eurosh nga kompania izraelite ADC. Lajmi është bërë i ditur nga media izraelite “Globes”, e cila thekson se projekti vjen pas afrimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Izraelit.
Qendra e të dhënave do të ndërtohet në një zonë të lirë ekonomike pranë Tiranës, konkretisht në TEDA, dhe do të ketë një kapacitet fillestar prej 32 megavatësh, me mundësi zgjerimi deri në 100 megavatë. Ajo do të mbështetet në teknologji të avancuar të procesorëve grafikë të Nvidia-s dhe do të shërbejë për përpunim të avancuar të të dhënave dhe aplikacione të inteligjencës artificiale.
Leje të përshpejtuara dhe energji e gjelbër
Statusi i Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për Bashkimin Europian ka lehtësuar ndjeshëm procedurat për këtë investim strategjik. Leja e ndërtimit është miratuar brenda vetëm 60 ditësh, ndërsa objekti po ndërtohet në tokë shtetërore, ku infrastruktura energjetike dhe ajo e komunikimit janë përgatitur paraprakisht.
Qendra e të dhënave do të furnizohet me energji të gjelbër nga burime hidroelektrike, ndërsa kompania publike e energjisë është duke ndërtuar një nënstacion elektrik të dedikuar posaçërisht për këtë projekt. Në aspektin financiar, rreth 75% e kostos totale të investimit mbulohet nga një linjë kredie e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Klientë të siguruar dhe fokus në tregjet perëndimore
Edhe pse ndërtimi nuk ka përfunduar ende, qendra e të dhënave ka siguruar tashmë tre klientë të rëndësishëm, mes tyre një kompani shqiptare e teknologjisë, një kompani gjermane dhe një institucion qeveritar shqiptar, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.
Sipërmarrësit e projektit synojnë të tërheqin klientë europianë dhe amerikanë që kërkojnë kapacitete përpunimi të inteligjencës artificiale të bazuara në energji të pastër. Kjo vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po përballen me kufizime serioze në zhvillimin e qendrave të reja të të dhënave, për shkak të mungesës së kapaciteteve energjetike.
Investim i lidhur me bashkëpunimin strategjik
Ky investim konsiderohet gjithashtu si pjesë e afrimit të fortë politik dhe strategjik mes Shqipërisë dhe Izraelit, i cili është intensifikuar pas sulmit kibernetik ndaj Tiranës në vitin 2022 dhe bashkëpunimit të mëvonshëm në fushën e sigurisë kibernetike dhe të mbrojtjes.